
Ish-kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader është dënuar me tetë vjet burg pasi u shpall fajtor për krijimin e fondeve në favor të partisë së tij konservatore HDZ, duke marrë para nga kompanitë publike përmes një agjencie të marketingut.
Sanader i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat për korrupsion dhe pritet që ta apelojë këtë vendim të gjykatës. Ky ishte një rigjykim i një rasti të mëhershëm, ku Sanader ishte dënuar me nëntë vjet burgim në 2013, por vendimi qe anuluar nga Gjykata Supreme, për shkak se ishin gjetur shkelje procedurale.
67 vjeçari ka qenë kryeministër i Kroacisë në 2003 deri në 2009, kur dhe u largua nga ky post pa dhënë asnjë shpjegim. Në rigjykim, gjykatësi tha se Sanader kishte organizuar një grup njerëzish për të kryer aktivitete kriminale dhe për të mbuluar marrëveshjet joligjore financiare. Partia e tij, HDZ, që aktualisht është në pushtet, është gjobitur me afro 550,000 dollarë dhe është urdhëruar nga gjykata të kthejë 2,1 milionë dollarë fonde, të përfituara në mënyrë të paligjshme.
Sanader po ashtu po vuan një dënim tjetër, pasi në 2008 ishte dënuar për ryshfet, pasi kishte ndërmjetësuar që një ndërtesë e cila i përkiste një kolegu të partisë t’i shitej një ministrie, me çmim më të lartë se çmimi i tregut. Ai po ashtu është dënuar për pranim ryshfeti nga kompania hungareze e naftës MOL në 2008, në këmbim të lejes që ajo të bëhej aksionere kryesore e kompanisë kroate të energjisë INA.
Top Channel