Abuzimet në kishën polake: I besuari i Papës nën dyshim

13/11/2020 10:26

Skandali i abuzimit të fëmijëve në kishën katolike polake po prek qarqe gjithnjë e më të larta. Kardinal Dziwisz, person shumë i besuar i Papës Gjon Pali II., dyshohet se i ka mbuluar ato.

Kardinali Stanislav Dzivis nuk është një dokushdo. Ai e shoqëroi papën polak Gjon Pali II si sekretarin personal gjatë gjithë pontifikatit, ai e njihte papën që heret dhe nuk u nda nga kreu i kishës në asnjë moment, derisa ai ndërroi jetë në vitin 2005. Vetë Papa thoshte për Dzivisz-in, se ishte i “pazëvendësueshëm”.

Gjithmonë i pranishëm, por i heshtur, ai konsiderohej si më i besuari i Papës. Kush donte të shkonte te Gjon Pali II., duhej të kalonte nga kardinali. Ai kishte diçka prej mbrojtësi, i drejtonte Papës rrobën, e mbështeste kur ecte në pleqëri. Por tani ai vetë do të kishte të nevojë për ombrellën mbrojtëse të Papës.

Audiencë private me para në dorë?

Sepse të hënën (9. 11. 2020) transmetuesi privat TVN24 shfaqi një reportazh të Marcin Gutovski-t për kardinalin tani 81-vjeçar Dzivisz. Në të ngrihen akuza serioze. Se ai kishte qenë në dijeni për abuzimin seksual të fëmijëve nga themeluesi i Legjionarëve të Krishtit, Marcial Maciel Degollado dhe ish-kardinalit amerikan Theodore McCarrick dhe megjithatë i kishte mbështetur të dy.

Përveç kësaj Dzivisz kishte marrë 10.000 dollarë dhe kështu, me kërkesë të McCarrick, i kishte mundësuari shoqëruesit të tij në vitin 1998 një audiencë private te Papa. Të martën Vatikani publikoi një raport të vetin lidhur me rastin McCarrick. Ai shtron pyetjen, përse Gjon Pali II., megjithëse pati një sërë indiciesh për veprime të mundshme pedofile të McCarrick, e bëri atë peshkop dhe më vonë kardinal. Edhe emri Dzivisz përmendet disa herë në raport.

Dzivisz vetë hesht. Autori i reportazhit televiziv “Don Stanislao. Fytyra tjetër e kardinalit Dzivisz” tregon vazhdimisht, se si është përpjekur disa herë pa sukses, që ta bindë klerikun për një intervistë “në atmosferë të mirë dhe miqësore”, në mënyrë që ai të paraqiste gjërat nga këndvështrimi i tij. Në fund filmi shfaqet pa intervistën, vetëm me disa deklarata të shkurtra të kardinalit dhe me fragmente të një bisede telefonike. Në të kardinali paralajmëron se hulumtimet gazetareske mund të shkaktonin një “skandal ndërkombëtar”. Ai thotë se është i merakosur për Poloninë. “Unë jam një njeri, që i ka shërbyer Papës, kishës dhe Polonisë. Dhe tani këto akuza? Për hir të Zotit!”

“Kur e pashë filmin, u trondita më së shumti nga qëndrimi i kardinalit, nga reagimet e tij ndaj akuzave të gazetarëve”, komenton Artur Sporniak i gazetës liberale katholike “Tygodnik Powszechny”. “Ai nuk arrin ta kuptojë se i nënshtrohet të njëjtit ligj dhe të njëjtave rregulla si të gjithë të tjerët. Se nuk ka përjashtime”. Një europarlamentar i së majtës alarmoi prokurorinë e shtetit. Nuk ka “lopë të shenjta”.

Filmi ka ringjallur diskutimin mbi pedofilinë në kishë dhe mbulimin e saj. Ditën pas transmetimit të tij kryetari i Konferencës Ipeshkvnore polake kryepeshkopi Stanislav Gadecki, bëri këtë deklaratë: “Unë shpresoj se të gjitha dyshimet, që u paraqitën në këtë reportazh, të sqarohen nga një komision përgjegjës i Vatikanit”. Dzivisz vetë kishte premtuar të bashkëpunonte me një “komision të pavarur”. Por komisioni mund të caktohet vetëm nga Papa, thekson në intervistë me DW prifti dhe filozofi Andrzej Kobylinski. As një forum lokal dhe as shtetëror nuk mund të gjykojnë një kardinal.

Erozion i besimit

Kobylinski pret një “rrëzim të përshpejtuar” të kishës katolike në Poloni. „Sekularizimi galopant i brezit të ri” do të “avancojë me shpejtësi”. Kisha përjeton humbjen e besimit. Për Kobylinskin një zhvillim i trishtueshëm, për të cilin priftërinjtë dhe peshkopët janë vetë fajtorë, “sepse bënë gabime dhe lejuan neglizhime. Vitet e fundit këtu fjala është kryesisht për skandalet e pedofilisë dhe mbulimin e tyre”, thotë prifti dhe teologu nga Varshava.

Para disa ditësh Vatikani gjykoi një tjetër rast duke vendosur njëkohësisht disa dënime ndaj ish kryepeshkopit 97-vjeçar të Vroclavit. Kardinalit Henryk Gulbinovicz nuk i lejohet më të përdorë simbolet e peshkopit, të celebrojë meshë dhe ai nuk do të varroset në katedralen e Vroclavit. Gulbinovicz akuzohet ndër të tjera për abuzim seksual.

Joachim Frank, kryetar i Shoqatës së Publicistëve Katolikë në Gjermani (GKP), kujton se çfarë revolte pati shkaktuar abuzimi në vende të tjera. Si për shembull përmes filmit të Francois Ozon “Lëvduar qoftë Zoti” bazuar në raste të vërteta abuzimi, i cili „madje edhe në Francën laike bëri bujë të madhe”. Ai mund ta imagjinojë fare mirë se diçka e ngjashme mund të ndodhë tani në Poloni. “Skandali i abuzimit në kishën katolike ka një dimension të tillë, saqë askush nuk mund të fshihet, duke përmendur meritat nën moton, ‘lëreni të qetë atë, se ka bërë aq shumë të mira’. Sepse çfarë do të thoshte kjo, parë nga perspektiva e viktimave, që kanë vuajtur nga priftërinjtë?” Në një intervistë për DW ai bëri thirrje për gjykime të drejta. “Drita dhe hija i përkasin të vërtetës”, komentoi Frank.

Cilido qoftë vendimi, ai kalon përtej sferës së kardinalit. Rasti Dzivisz ka „një dimension kombëtar”, thotë Kobylinski, sepse Gjon Pali II. është në Poloni jo vetëm një figurë e kishës, por një pjesë integrale e “kujtesës dhe e identitetit nacional”. Ai luajti një rol dominues në Poloninë socialiste, u dha njerëzve mbështetje dhe shpresë. Akuzat kundër Dzivisz fajësojnë atë dhe shtrojnë pyetjen për përgjegjësinë e Papës, veçanërisht në rastin e “Legjionarëve të Krishtit”. Themeluesin e urdhërit ai e mbuloi deri në fund. Kanonizimi i shpejtë i Papës ka ndodhur „ndoshta para kohe”, mendon Kobylinsky.

Monumente të Papës polak ka në mbarë vendin. Monumenti i Henryk Jankovskit u largua nga qyteti i Gdanskut vitin e kaluar, pasi u raportua për viktima të abuzimit. Jankovski, që vdiq në 2010, ishte „kleriku legjendar i Solidarnostit” dhe prifti, te i cili rrëfehej Lech Walesa, kryetari i sindikatës Solidarnost dhe më vonë president i vendit. Monumentet e Dzivisz-it që janë ngritur që në të gjallë të tij, mund të tronditen. Të martën në mbrëmje demonstruesit kaluan para shtëpisë së tij në Krakov dhe para kuries në qytetin, ku ai ka qenë kryepeshkop. Njëra nga skulpturat e Dzivisz-it gjendet në jug të Polonisë, në Zakopane, qytetin malor që Gjon Pali II. e ka dashur aq shumë. Një tjetër në vendlindjen e Dzivisz, Raba Wyzna, e treta në afërsi të saj. Asnjëherë monumentet nuk e tregojnë Dzivisz të vetëm, por në krah të Gjon Palit II./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA