Donald Trump është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale në shtetin e Alaskës, një fitore që nuk do të ndryshojë rezultatin përfundimtar të këtij procesi. Mediat amerikane kanë bërë këtë njoftim bazuar në numërimin e votave, tetë ditë pas ditës së votimit.
Me tri vota Alaskës, sa ka Kolegji Elektoral në këtë shtet, numri total i pikëve të Trumpit arrin në 217, ndërkohë që presidenti tashmë i zgjedhur, Joe Biden ka 279 vota, apo nëntë më shumë sesa nevojiten për të shpallur një kandidat fitues.
Arizona, Xhorxhia, ku Biden aktualisht udhëheq, dhe Karolina Veriore, ku Trump është më përpara, pritet të shpallin fituesit. Mirëpo edhe nëse Trump arrin të fitojë të trija shtetet, 42 votat e tyre të Kolegjit Elektoral nuk do të mund të ndryshonin rezultatin. Numërimi i të gjitha votave ka rezultuar po ashtu me fitoren e senatorit Dan Sullivan, duke i dhënë Partisë së tij Republikane gjysmën e ulëseve në Senatin me 100 ulëse. Demokratët kanë 48 vende, ndërsa për dy të tjera – në Xhorxhia – pritet që fituesit të bëhen të ditur në janar, meqë asnjëri kandidat nuk ka fituar më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Xhorxhia ndërkohë ka filluar rinumërimin e votave me dorë. Sekretarja e shtetit i tha gazetarëve se do të rinumërohet çdo votë e hedhur ligjërisht. Dhe kjo në fakt është ajo që ekipi i Trump kishte kërkuar të martën. Çdo shtet ka rregullat e veta për rinumërimin por përgjithësisht votat rivlerësohen dhe riskanohen. Në disa vende, një numër i caktuar votash numërohen gjithnjë me dorë për të siguruar vlefshmërinë e makinave. Por rinumërimet, rrallë herë kanë çuar në ndryshim rezultatesh.
Është e rëndësishme të theksohet se edhe nëse Biden humbet Xhorxhian, ai vazhdon të mbetet mbi kufirin e 270 votave të kolegjit elektoral që nevojiten për të siguruar Shtëpinë e Bardhë. Teksa numërimi i votave ka arritur në fazën finale, të gjitha mediat e mëdha amerikane kanë shpallur Bidenin fitues të zgjedhjeve. Trump nuk e ka pranuar rezultatin, derisa fushata e tij dhe republikanët kanë nisur disa kërkesa ligjore, duke sfiduar procesin e numërimit në shtetet kyçe.
Top Channel