Shteti i parë në SHBA/ Teksas, mbi 1 milion infektime nga Covid-19

12/11/2020 14:45

Teksasi u bë shteti i parë amerikan që kaloi 1 milion raste infektime me koronavirus; Kalifornia është në vend të dytë me një diferencë që po ngushtohet.

Zyrtarë të shëndetësisë në shtetin e dytë më të madh për nga popullsia regjistruan 10,800 raste të reja të martën – një shifër e re rekord. Megjithëse nuk ka sinjale që zyrtarët do të vënë në zbatim masa emergjente kufizuese për të ngadalësuar përhapjen, agjencia e lajmeve Associated Press njoftoi se një zyrtar bashkiak në Fort Uorth, qyteti i pestë më i madh në këtë shtet, po bën thirrje për pezullimin e aktiviteteve sportive për fëmijët dhe të rinjtë.

Disa spitale rurale kanë ngritur tenda që shërbejnë si klinika shëndetësore. Një ditë më parë, zyrtarë shtetërorë të shëndetësisë njoftuan për 6,779 pacientë të shtruar në spitale e 600 pacientë të rinj – një ndër rritjet më të theksuara ditore të regjistruara në këtë shtet. Me përkeqësimin e gjendjes së pandemisë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka rishikuar udhëzimet lidhur me maskat, duke cituar disa studime që konfirmojnë se “vënia e maskave ndihmon për të kontrolluar përhapjen e virusit”.

Aty përfshihet dhe rasti i dy stilisteve që nuk infektuan asnjë prej klientëve të tyre, teksa rezultoi që kishin qenë të prekura vetë nga Covid 19, por gjatë gjithë kohës kishin mbajtur maskë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA