Mësuesja britanike lufton për jetën pas kirurgjisë së dështuar estetike në hundë në Turqi

12/11/2020 16:58

Një nënë britanike po lufton për jetën pasi pësoi një atak kardiak gjatë operacionit estetik në hundën e saj, që po kryente në Turqi.

46 vjeçarja Michelle Williams ka pësuar dëmtime në tru dhe merr frymë me anë një tubi trakeo-stomie pas operacionit të makthit.

Mësuesja nga lindja e Londrës e përshkruar si “e etur për jetën”, ka pak gjasa të rekuperohet plotësisht pas tmerrit të saj dhe po lufton për jetën në kujdesin intensiv.

“Ky është një makth,” tha për mediat motra e saj Nikisha Lynch, 37 vjeçe.

“Michelle nuk është zgjuar ende pas asaj që ka ndodhur dhe ka pësuar dëmtime në tru, por ne nuk e dimë në ç’masë”.

Rrjedha e tmerrit nisi kur Williams – e cila punonte si mësuese anglishteje në shkollat fillore në Turqi – vendosi të kryente kirurgji rinoplastike gjatë pushimeve shkollore.

Mësuesja prenotoi procedurën që kushton rreth 4000 euro në spitalin privat ‘Akademik’ në Stamboll.

Më 14 gusht Williams njoftoi të afërmit se po shkonte për të kryer procedurën, por kjo do të ishte hera e fundit që tre motrat e saj, nëna 65-vjeçare dhe e bija 27 vjeçare LaCharné Gray, do të dëgjonin prej saj.

“Ne folën me Michelle në 7.20 të mëngjesit, por në 12.20 morëm një telefonatë ku na u tha se ajo kishte pësuar një arrest kardiak”, thotë e motra.

“Ne u shokuam. Shkuam menjëherë drejt Stambollit dhe prej atëherë rrimë me radhë pranë saj.”
Familja mësoi se zonjës Williams i ishte dhënë një anestetik i përgjithshëm por pësoi një arrest kardiak të ndjekur nga kriza epileptike që zgjatën rreth 3 orë.

Pas operacionit të dështuar Williams është infektuar gjithashtu me pneumoni, dhe një tub ushqimi ështëi nstaluar në stomakun e saj.

Familja e saj thotë se po padit spitalin për neglizhencë.

Industria e turizmit mjekësor ka pësuar një rritje të madhe në Turqi dhe shifrat e fundit thonë se arrin në 2 miliardë euro në vit, kryesisht me ndërhyrje estetike si implantime flokësh dhe modifikime të hundës me çmime të reduktuara.

Familja e Williams po mbledh fonde për kthimin e saj në Britani, për kostot ligjore, kostot spitalore dhe rehabilitimin e të sëmurës.

Ata kanë mbledhur tashmë kontribute prej 23,000 për ambulancën ajrore që do ta sjellë në Angli dhe shpresojnë të akumulojnë mjaftueshëm për trajtimin e saj të ardhshëm.

FOTO GALERI
1/6
Një nënë britanike po lufton për jetën pasi pësoi një atak kardiak gjatë operacionit estetik në hundën e saj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA