Pas fitores me rezultat të ngushtë, Presidenti i zgjedhur Joe Biden pritet të marrë drejtimin e vendit të ndarë politikisht që po përballet me pandeminë vdekjeprurëse dhe ekonominë e dëmtuar rëndë prej saj. Analistët mendojnë se suksesi i demokratit të moderuar mund të varet nga tejkalimi i dallimeve politike me republikanët dhe sigurimi i përkrahjes së progresistëve të partisë së tij.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden premtoi gjatë fushatës të zgjerojë mundësitë për qasje në kujdesin shëndetësor, ndihma për punëtorët me pahë të ulët dhe investime në energjinëp e pastër duke krijuar miliona vende të reja pune. Por sfida e tij e parë do të jetë trajtimi i pandemisë së koronavirusit, që sipas Universitetit Johns Hopkins ka shkaktuar mbi 237 vdekje në ShBA.
“Nuk do të kursejë përpjekjet dhe angazhimin për të frenuar pandeminë“, tha Presidenti i zgjedhur, Joe Biden.
Zoti Biden të hënën themeloi grupin e punës kundër koronavirusit, i cili do të përqëndrohet në shtimin e testimeve, rritjen e prodhimit të pajisjeve mbrojtëse për punonjësit e kujdesit shëndetësorë si dhe zhvillimin dhe shpërndarjen e vaksinave.
Por, suksesi i axhendës së tij, varet nga lëvizjet e zotit Biden për të tejkaluar dallimet partiake që janë shtuar gjatë mandatit të Presidentit në largim, Donald Trump.
“Ndarjet janë të thella. Shpresoj të futemi në një shteg shërimi. Nuk do të ndodhë as shpejtë e as lehtë“, thotë David Redlawsk, Profesor i Politikave në Universitetin e Delauerit.
Zoti Biden mund të përballet me kundërshtim të madh nga udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, i cili do të përcaktojë axhendën e kësaj dhome të kongresit, nëse republikanët fitojnë një nga dy garat e balotazhit në Xhorxhia në janar.
“Zoti McConnel mund të mos lëvizë nga qëndrimet e tij dhe të mos lejojë nisma liberale”, thotë Shannon O’Brien, Profesore e Politikave amerikane.
Presidenti i zgjedhur shihet si njeriu i përshtatshëm për të tejkaluar dallimet, pasi ai ka shërbyer për dekada si senator dhe më pas nënpresident në administratën Obama. Raporti i tij me zotin McConnel dhe të tjerët do të vihet në provë.
“Ai mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e tij për të ndërtuar koalicione të mundshme që mbase nuk i kemi parë në katër vitet e fundit”, tha Jeff Bennet, Profesor komunikimi në Universitetin Vanderbilt.
Zoti Biden ka theksuar nevojën e bashkëpunimit midis partive për të arritur të mirën e përgjithshme.
“Për të pasur sukses, duhet të mos i shohim kundërshtarët si armiq. Nuk jemi armiq, jemi amerikanë“, deklaroi Presidenti i zgjedhur Joe Biden.
Por udhëheqësi demokrat do të përballet gjithashtu me presionin e krahut më liberal të partisë së tij, të ashtuquajturit progresistët, që duan një sistem të përgjithshëm shëndetësor të financuar nga qeveria dhe masa agresive për luftimin e ndryshimeve klimatike.
Disa demokratë të ekstremit të majtë, si ligjvënësja e Nju Jorkut, Aleksandria Ocasio-Cortez, kanë shprehur tashmë zhgënjimin, pasi sipas saj demokratët e moderuar, pasi zgjidhen braktisin kauzat progresive dhe kërkojnë marrëveshje me republikanët./VOA/
Top Channel