“Jemi në fund të zgjerimit me 12 milje”, Dendias: Pakti me Shqipërinë për të shkuar në Hagë, mesazh edhe për Turqinë

08/11/2020 19:49
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias

Në një interviste për gazetën “Protothema”, kryesisht për marrëdhëniet greko-turke ministri i Jashtëm Nikos Dhendias i pyetur se përse po vonohet zgjerimi i ujërave territorial të Greqisë, ka deklaruar se ky zgjerim është deklaruar prej kryeministrit Mitsotakis prej 26 gushtit,por duhet më parë të procedohet me mbylljen e gjireve dhe zbatimin e parimit të vijës së drejtë.

“Gjithsesi– ka thënë ai- janë përgatitur dekretet përkatëse presidenciale, janë dorëzuar tashmë në Këshillin e Shtetit dhe hapi tjetër do të jetë zgjerimi i ujërave territoriale në Jon, siç përcaktohet nga Kushtetuta, duke treguar dhe njëherë përpikërinë e vendit tonë ndaj së Drejtës Ndërkombëtare dhe asaj të Detit, qe lejon zgjerimin në mënyrë të njëanshme me 12 milje të ujërave tona territoriale.”

I pyetur nëse ishte sukses marrëveshja me Shqipërinë me apelim të përbashkët në Hage për përcaktimin e kufijve detare dhe se çfarë do të ndodhë nëse gjykata nuk do t’ju japë të drejtë 100% pozicionimeve greke Dhendias është përgjigjur:

“Ramë dakord me Shqipërinë për Hagën në mënyrë që të zgjidhim, në bazë të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit, një çështje te pazgjidhur prej vitesh . Është sukses i përbashkët sepse dy vendet mbështesin faktin qe mosmarrëveshjet dypalëshe të zgjidhen vetëm në bazë të ligjit ndërkombëtar dhe përmes dialogut. Nëse dialogu nuk çon në një marrëveshje, atëherë mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes arbitrazhit ndërkombëtar”, ka thënë ai.

“Është hera e parë që Greqia dhe një vend fqinj bien dakord mbi këtë proces dhe kjo përcakton një precedent shumë të rëndësishëm për rajonin dhe i dërgon një mesazh të qartë Turqisë”, nënvizon gjithashtu kreu i diplomacisë greke.

“Më lejoni të theksoj se marrëveshja e arritur në Tiranë dy javë më parë ka mbështetjen e plotë të forcave politike në Shqipëri, si të qeverisë ashtu edhe të opozitës . Më lejoni të theksoj gjithashtu se apelimi bashkë me marrëveshjen kornizë do të bëhet pas zgjerimit me 12 milje detare të ujërave territoriale të vendit tonë në Jon. E gjithë kjo bëhet në marrëveshje të plotë me palën shqiptare, e cila meriton njohje për respektimin e ligjit ndërkombëtar”, thotë Dhendias.

Gjithashtu ai ka theksuar se Greqia përveç zgjerimit me 12 milje ne Jon , për të cilin sipas tij është marrë tashmë vendimi, po procedon edhe për zgjerimin me 12 milje në zonën detare në jug të Kretës, si një e drejtë ekskluzive e një vendi bregdetar qe e ushtron atë, kur e gjykon të arsyeshme dhe në bazë edhe të planeve të tij strategjike.

Aleksander Marku

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA