Hartimi i projektligjit të ri organik për institucionin e Presidentit ka përfunduar fazën paraprake dhe tashmë pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare.
Deputeti i PS, Adnor Shameti, pjesë e grupit të punës që është marrë me hartimin e këtij drafti tha se ligji do të zgjidhe të gjitha ngërcet institucionele dhe vakumet ligjore që janë hasur deri më tani në aktivitetin e institucionit të Presidnetit të Republikës.
Deputeti socialist tha se ligji i ri ka në tërësinë e tij 45 nene dhe në fazën e diskutimeve të tjera në komisionet parlamentare, do të ketë konsultime gjithëpërfshirëse të palëve. Sipas tij ligji nuk është për privilegjet e presidentit, por sanksionon të drejtat dhe detyrat e tij.
Sipas draftit te sapodorëzuar nga mazhoranca kreut të shtetit vendosen pengesa për të shpërndarë Kuvendin, çdekretimin e zgjedhjeve apo mos dekretimin e kryeministrit dhe ministrave. Në rast se Presidenti i Republikës nuk nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve në afatin e përcaktuar nga legjislacioni zgjedhor ose e nxjerr atë në kundërshtim me procedurën sipas këtij neni, atëherë data e zgjedhjeve caktohet nga Kuvendi, sipas propozimit të Kryetarit të tij, me vendim që miratohet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, brenda 10 ditëve nga afati i dekretimit.
Në ligj, Presidentit i përcaktohet se nuk mund të ndryshojë renditjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi
Në draft ka edhe një zgjidhje për çështjen e betimit, ku Ilir Meta refuzoi që të kryejë betimin e Arta Vorpsit që ishte zgjedhur nga Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese
“Në rast se ceremonia e betimit nuk organizohet nga Presidenti i Republikës deri në përfundim të afatit sipas pikës 4 të këtij neni, atëherë betimi kryhet përpara Kuvendit, për të gjithë funksionarët apo gjyqtarët që zgjidhen apo miratohen prej tij, kurse për të tjerët përpara organit propozues”.
Top Channel