Izraeli ka mbyllur burgun Gilboa, ku mbahen 360 të burgosur palestinezë, pasi më shumë raste me koronavirusin e ri (COVID-19) u raportuan brenda burgut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shërbimi Izraelit i Burgjeve njoftoi se të gjitha hyrjet dhe daljet nga burgu janë ndaluar derisa të gjithë të burgosurit të testohen dhe institucioni të dezinfektohet.
Sipas raportimeve të mediave palestineze, më shumë se 70 të burgosur palestinezë janë infektuar me COVID-19 brenda burgut.
Në një deklaratë, Shoqata Palestineze e Burgosurve (PPS) tha se autoritetet izraelite filluan të transferonin të burgosurit e infektuar në Burgun Salmonit në Galile për t’u izoluar atje.
Sipas PPS-së, të burgosurit që nga e diela raportuan simptoma të virusit, por autoriteti i burgut e trajtoi rastin si një grip, megjithëse shumë të paraburgosur vuanin nga temperatura shumë e lartë.
Kreu i PPS-së, Qadoura Fares u bëri thirrje institucioneve gjyqësore ndërkombëtare dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të liruar menjëherë të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit nga burgu.
Mes të infektuarve me COVID-19 është edhe Abbas al-Sayed, një udhëheqës i Hamasit, i cili po vuan dënim të përjetshëm në burgun Gilboa.
“Ai vuante nga temperatura e lartë dhe kur shkoi në klinikën brenda burgut, atij iu dhanë tableta paracetamol dhe u kthye në qelinë e tij”, tha për AA gruaja e tij Ikhlas al-Sayed.
“Askush nuk kujdeset për të dhe shokët e tij të infektuar dhe të izoluar pa pasur ndonjë kontakt me familjet e tyre. Pushtimi është përgjegjës për jetën e burrit tim”, shtoi ajo.
Sipas vlerësimeve palestineze, ka rreth 4.400 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite, përfshirë 39 gra, 155 fëmijë dhe rreth 350 të ndaluar sipas politikës izraelite të ndalimit administrativ, e cila lejon mbajtjen e palestinezëve pa akuzë ose gjykim.
Top Channel