Hispanikët pritet të jenë grupi më i madh ndër pakicat që votojnë në 2020, sipas organizatës kërkimore Pew.
Një anketë e zhvilluar ditët e fundit nga rrjeti NBC dhe gazeta Wall Street Journal tregon se ish-nënpresidenti Joe Biden kryeson në garën me Presidentin Trump me diferencë të ndjeshme ndër votuesit latino-amerikanë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti ka biseduar me këta votues për të mësuar se cilat janë temat e rëndësishme për ta:
Një flotilje me varka e anije private. Këto ditë kjo është bërë një paradë e përjavshme e përkrahësve të Presidentit Trump në Florida.
60 milionë hispanikë jetojnë në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e tyre kanë të drejtën e votës. Në këto zgjedhje, ky grupim mund të jetë elektorati më i madh që voton ndër grupet pakicë, duke tejkaluar afrikano-amerikanët. Hispanikët që nga vitet 1980 kanë mbështetur demokratët, por mes tyre ka larmi mendimi.
Kubanët janë grupi më i madh hispanik në Florida dhe tradicionalisht ata votojnë për republikanët.
“Do të votoj për zotin Trump sepse kur socialistët u futën në Kubë bënë shumë premtime. Kur e kuptuam se çfarë po ndodhte, kur e çorrën maskën, ishte tepër vonë sepse ata kishin arritur ta fusnin nën kontroll pushtetin. Po shoh të njëjtën gjë në këtë vend,” thotë kubano-amerikani Jorge Rodriguez, përkrahës i Presidentit Trump.
Kubano-amerikanët më të moshuar janë në një linjë mendimi me presidentin kur e cilëson Joe Bidenin si “socialist”. Fushata e zotit Biden u detyrua të hidhej në vetë-mbrojtje.
“Joe Bideni nuk është socialist, nuk është komunist. Në fakt udhëheqësi autoritar këtu është Presidenti Trump. Nga ky lloj udhëheqësi ikët kur u larguat nga Kuba,” thotë Pili Tobar, punonjëse e fushatës së zotit Biden.
Hispanikët demokratë në Florida shprehen me forcë kundër Presidentit Trump.
“E kam dashur largimin e Donald Trumpit nga presidenca që kur filloi mandatin,” thotë Sara Cardenas, përkrahëse e kandidatit Joe Biden.
Ashtu shprehet edhe Alberto Cairo nga Spanja, i cili bëri pa vonesë aplikimin për shtetësi që të siguronte të drejtën për të votuar këtë radhë.
“Mendoj se duhet ta heqim këtë president. E them hapur,” thotë Alberto.
Brenda një kishe pentekostale në Tenesi, Anke Sandoval vjen çdo të martë për t’u lutur për presidentin. Këtë radhë ajo voton për herë të parë që kur imigroi nga Hondurasi:
“Jemi të bindur për ato që po bën Perëndia përmes Presidentit Trump. Zoti është ai që i emëron dhe i heq udhëheqësit”.
Në Teksas, të rinjtë latino-amerikanë janë shtuar në numër në zonat kufitare.
“Kam dëgjuar të rinj të moshës sime që më kanë thënë se vota ime nuk ka rëndësi. Por dua të mbështes kandidatin tim, prandaj po votoj,” thotë votuesja latino-amerikane Alyssa Dale.
Ky është problem serioz për Joe Bidenin, thotë analisti politik Jim Henson.
“Më të rinjtë, amerikanët e moshës 18-24 vjeç, madje edhe 18-29 vjeç kanë pjesëmarrje shumë të ulët në votime. Kjo nënkupton se mbështetja e gjerë që kanë demokratët në radhët e latino-amerikanëve nuk kthehet në avantazh real në zgjedhje,” thotë zoti Henson.
Organizatorët demokratë shpresojnë se pikëpamjet e presidentit për murin në kufi dhe politikat kundër imigracionit do të mobilizojnë votuesit e rinj pro Bidenit. Por disa nga udhëheqësit në Partinë Demokrate kanë hasur vështirësi edhe me votuesit në moshë më të madhe:
“Janë të zënë me përgjegjësitë familjare, me punë. Shpesh herë nuk e kanë të lehtë të largohen nga puna për të votuar, pasi kanë jetë të ngarkuara,” thotë Jared Hockema, kryetar i Degës së Partisë Demokrate në komunën Kameron të Teksasit.
Hispaniko-amerikanët janë aktualisht grupi më i madh ndër pakicat racore amerikane dhe nëse marrin pjesë masivisht në votime mund të jenë vota vendimtare në shumë shtete të lëkundura./VOA/
Top Channel