Autoriteti i Pavarur Kombëtar Zgjedhor i Algjerisë ka bërë të ditur se rreth 66.8 për qind e algjerianëve që morrën pjesë në referendum, votuan në favor të ndryshimit kushtetues.
Mbrëmë, autoritetet njoftuan se pjesëmarrja në referendumin kushtetues ishte rreth 24 për qind.
“Pjesëmarrja e votuesve në referendumin për ndryshimet kushtetuese arriti në 23.7 për qind ose 5.5 milionë nga 24.5 milionë persona me të drejtë vote”, tha në një konferencë për media, Mohamed Charfi, kreu i autoritetit zgjedhor.
Pjesëmarrja e votuesve në referendumin e djeshëm u konsiderua si më e ulta në historinë zgjedhore të Algjerisë.
Referendumi u mbajt mes kufizimeve si pjesë e masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit dhe mungesën e presidentit Abdelmadjid Tebboune, i cili është shtruar në spital në Gjermani.
Ndryshimet kushtetuese u propozuan nga Tebboune, një veprim që u refuzua nga opozita me arsyetimin se referendumit i mungon konsensusi kombëtar.
Ndryshimet përfshijnë kufizimin e mandateve të presidentit në vetëm dy dhe zgjerimin e pushtetit të kryeministrit.
Tebboune u zgjodh president në dhjetor pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Abdelaziz Bouteflika si rezultat i protestave masive kundër sundimit të tij.
Top Channel