Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Mitropoliti Amfilohije, u varros të dielën në kriptën e Katedrales së Ringjalljes së Krishtit në Podgoricë.

Metropoliti Amfilohije ndërroi jetë të premten, më 30 Tetor, në Qendrën Klinike të Malit të Zi (KCCG) për shkak të ndërlikimeve të shkaktuara nga koronavirusi.

Në varrimin dhe liturgjinë disaorëshe morën pjesë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, peshkopët e dioqezave të tjera të kishës, si dhe përfaqësues të kishave të tjera ortodokse.

Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të Kishës Katolike dhe Komunitetit fetar Islamik, zyrtarë shtetërorë, përfshirë kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beqiq, kryeministrin Zdravko Krivokapiq, përfaqësuesit e partive politike të shumicës së re parlamentare.

Po ashtu në varrim mori pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqësi i Republikës Srpska, Millorad Dodik.

Patriarku Irinej iu drejtua të mbledhurve, duke thënë se mitropoliti Amfilohije la për amanet “dashurinë për Kosovën dhe Metohinë dhe rinovimin e kishës në Lovqen”.

Klerikët dhe qytetarët e pranishëm të dielën nuk i respektuan masat e Trupit Kombëtar të Koordinimit për Sëmundjet Infektive (NKT), ku për shkak të pandemisë së koronavirusit ndalohet mbledhja e më shumë se 100 personave, si qytetarët obligohen të mbajnë maska dhe të respektojnë distancën fizike.

Por, masat kundër koronavirusit janë shkelur në mënyrë masive këto dy ditët e fundit.

Një numër shumë i vogël i priftërinjve dhe besimtarëve kishin maska, distanca fizike nuk respektohej, të pranishmit iu afruan arkivolit dhe puthën dorën e të ndjerit si dhe duke u kunguar me të njëjtën lugë.

Mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe Amfilohije ka qenë kreu i Metropolitatës në Malin e Zi në 30 vjetët e fundit.

Në Mal të Zi, vetëm gjatë ditës së shtunë u regjistruan 275 raste të reja me koronavirus dhe shtatë viktima.

Në total, që prej fillimit të pandemisë e deri më tani, Mali i Zi ka regjistruar 18,341 raste me koronavirus. Prej tyre, 301 pacientë kanë vdekur dhe 3,957 janë ende aktive./rel/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA