Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 2.3 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike pasi uragani Zeta goditi brigjet e gjirit dhe depërtoi në thellësi të tokës.
Zeta preku tokën në Luiziana si stuhi e kategorisë së 2, të mërkurën, para se të dobësohej në një ciklon post-tropikal me erëra që kapnin shpejtësinë e 80 km në orë.
Por stuhia u forcua ndërsa i drejtohej Karolinës së veriut dhe Virxhinias juglindore. Autoritetet kanë paralajmëruar banorët e zonave në trajektoren e stuhisë të qëndrojnë në shtëpi. Luiziana ende nuk e ka marrë veten nga dëmet e shkaktuara nga stuhitë e fundit, mes të cilave uragani Laura dhe Delta. Para se të prekte brigjet amerikane, Zeta goditi gadishullin Jukatan në Meksikë, si një uragan i kategorisë së parë.
Zeta është stuhia e 27 e sezonit të uraganëve në atlantik dhe mungon vetëm një stuhi që të thyhet rekordi për numrin më të madh të tyre në një sezon. Në 2005 pati 28 stuhi në sezon, përfshirë 15 uraganë.
Top Channel