Shefi i OKB-së shpreh keqardhje për mungesën e grave në përpjekjet për paqe

29/10/2020 23:00

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu keqardhje për mungesën e vazhdueshme të grave në përpjekjet për paqe në botë, edhe dy dekada pasi një rezolutë e Këshillit të Sigurimit kërkoi të rrisë një përfaqësim të tillë.

Guterres tha se kishte pasur “ndryshime të rëndësishme” që nga miratimi i Rezolutës 1325 në vitin 2000, e cila kishte inkurajuar të gjithë palët e interesuara të vendosnin përparësi për rolin dhe interesat e grave dhe vajzave në bisedimet e paqes, paqeruajtjes, ndihmave humanitare dhe rindërtimit pas konfliktit.

“Por, barazia gjinore para së gjithash është një çështje e fuqisë, dhe kudo që të shohim, strukturat e pushtetit dominohen nga burrat”, i tha Guterres një takimi virtual të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gratë drejtojnë vetëm shtatë për qind të vendeve, ndërsa burrat përbëjnë tre të katërtat e anëtarësimit në task forcat kundër COVID-19, tha Guterres.

“Edhe pse po përmirësojmë përfaqësimin e grave në ekipet e ndërmjetësimit të Kombeve të Bashkuara, ato mbeten kryesisht të përjashtuara nga delegacionet në bisedimet dhe negociatat e paqes”, tha Guterres, duke marrë si shembull përpjekjet diplomatike në Afganistan, Mali dhe Jemen.

Agjencia e UN Women përmes një deklarate nxiti vendet për veprim në respektimin e rezolutës “në një moment kritik, kur nevojitet një përpjekje e përbashkët për të parandaluar COVID-19”.

Me iniciativën e Rusisë, Këshilli i Sigurimit u takua të enjten për të shqyrtuar një rezolutë që do të inkurajonte përfaqësimin më të madh të grave në vendimmarrje.

Por, diplomatët thanë se rreth 10 anëtarë të Këshillit nga 15 sa janë gjithsej, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane ishin kundër, duke besuar se iniciativa ruse minon arritjet e deritashme.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenzia, tha se drafti ishte “i ekuilibruar” dhe “lejon promovimin e mëtejshëm të grave, paqen dhe agjendën e sigurisë”.

Drafti, të cilin e ka parë agjencia AFP, rendit rekomandimet për vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara, për të përmirësuar statusin e grave.

Por, kritikët e saj thonë se kjo projekt-rezolutë nuk ka referenca për rolin e shoqërisë civile.

Një diplomat duke folur në kushte anonimiteti tha se një paragraf i tërë mbi përgjegjësinë e shteteve në fushën e të drejtave të njeriut u fshi gjatë negociatave./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA