Pandemia Covid-19 ka vënë në rrezik të gjithë zinxhirët e ekonomisë. Presionin po e ndjen edhe sektori bankar, pasi bankat po tregohen më konservatore duke shtrënguar kriteret në dhënien e kredive për bizneset për shkak të pasigurive të shtuara për të ardhmen.
Këto kushtëzime pritet të zgjasin deri në fund të këtij viti, duke bërë që bizneset veçanërisht ato të mëdha të përballen me interesa më të larta dhe të vënë në dispozicion të bankave më shumë kolateral.
Por, eksperti për ekonominë Agim Kukeli shpjegon se bankat duhet të jenë më bashkëpunuese në këtë moment të vështirë për sipërmarrjen. Ai propozon një tjetër shtyrje të kësteve të kredive.
“Një tjetër moratorium për shtyrjen e kësteve të kredive do të ndihmonte bizneset dhe individët. Është moment që bankat të fusin në lojë edhe aspektin social për të ndihmuar në këtë situatë të vështirë. Ato duhet të jenë më bashëkpunuese në këtë drejtim.”
Moratoriumi i shtyrjes së kredive ka mbajtur në nivele të qëndrueshme kreditë me problem me 8.1%. Por, me mbarimin e efektit të tij ekspertët vlerësojnë se do të pësojnë një rritje, paralajmërim I bërë më herët edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Sigurisht që kreditë me problem do të rriten, por niveli nuk do të jetë kaq shqetësues. Pra, është një rritje e pritshme e tyre e ndikuar më së shumti nga situata e krijuar nga pandemia. Shqetësim do të jetë rritja e depozitave, pasi tregon pasiguri të lartë.”
Nga ana tjetër, konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatorja e parë Luljeta Minxhozi ka deklaruar se nëse kriza thellohet, politika nuk duhet të ngarkojë kosto të tjera mbi bankat, çka nënkupton se një tjetër moratorium për kreditë do të ishte i pamundur.
Top Channel