“Viktima më ngacmonte”, flet nëna e të dënuarit për vrasjen e 82-vjeçarit: Hajde në shtëpi se të jap unë…

28/10/2020 13:26

Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel” është rikthyer në vëmendjen e publikut një ngjarje e ndodhur 5 vite më parë në Fier.

Më 22 nëntor të vitit 2015, pronari i një agjencie udhëtimesh Nevruz Likometaj u gjet i pajetë, i mbështjellë me një çarçaf dhe i hedhur në një kosh plehrash. Sipas policisë viktima ishte vrarë me një mjet prerës të fortë, ndërsa asokohe u raportua se kishte marrë dëmtime të forta në trup dhe në kokë.

Uniformat blu bëjnë me dije se në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Fier u arrit sigurimi i provave te reja ligjore dhe paraqitja e tyre në Gjykatë që kanë çuar në arrestimin e 43-vjeçarit Skënder Krasniqi, të cilin Gjykata e Fierit e ka lënë në burg me akuzën e vrasjes me paramendim duke u rikthyer sërish në dyshimet e para.

Në 2015-2016, Skënder Krasniqi i dyshuari kryesor për këtë ngjarje ka kryer 9 muaj arrest me burg, por gjykata e Apelit Vlorë e pushoi çështjen në pamjaftueshmëri të provave. Pas 5-vitesh Skënderi u arrestua sërish me pretendimin e daljes së provave të reja.

Gjatë marrjes në pyetje i dyshuari ka thënë se Nevruz Likometaj i ngacmonte seksualisht nënën dhe kjo u bë shkak që ai ta vriste në gjaknxehtësi. I moshuari mësohet se kërkonte të martohej përsëri, pasi nuk kishte grua.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Shqipëria Live” ishte nëna dhe bashkëshortja e Skënderit, Roza dhe Eriselda. Që të dyja shprehen se ai është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë motiv që të rikthehej kjo çështje.

Kur moderatorët e pyetën nënën e të dënuarit nëse Nevruzi e kishte ngacmuar atë, ajo u përgjigj “Po”.

“Jam nënë dhe 40 vite pa burrë. Nevruzi më ngacmonte. Më thoshte hajde në shtëpi e të jap lek unë. Unë shisja banane dhe ai vinte i kapte në dorë, e më thoshte lëri bananet se të jap lek unë. Vinte u ulte te tavolina ime”, tha ajo.

Roza shtoi se nuk e njihte më parë viktimën dhe se nuk e dinte aspak ku e kishte shtëpinë. Madje nuk e dinë akoma se ku jeton familja e të ndjerit.

“Unë i kam thënë djalit të tij që të fliste me të, e të mos vinte të ulej në tavolinën time. Nevruzin nuk e njihja më parë, e kam parë vetëm kur më afrohej. Krasniqit nuk i kam thënë asnjëherë për ngacmimin. Ai nuk e dinte aspak për këtë”, përfundoi nëna e Skënderit.

Ndërkohë bashkëshortja e Skënderit është shprehur se “nuk ka patur asnjëherë ndonjë motiv që i shoqi të arrestohej”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA