I ftuar në studion e emisionit “Top Talk”, ishte kryetari i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi.
Gjatë fjalës së tij ai tha se fushata është e paparashikueshme dhe mund të ketë sulme nga të gjitha anët. Pikë së pari ai evidentoi sulmet e njëpasnjëshme të Partisë Demokratike ndaj partisë së tij, por edhe partive të vogla opozitare, të krijuara së fundmi. Ndër të tjera Patozi theksoi se është i gatshëm të mirëpresë të gjitha sulmet, e deklaroi se ka eksperiencën e duhur për t’i bërë ballë. Ai i bëri thirrje Lulzim Bashës se nëse do të merret me të, të firmosë që tani qëndrimin në opozitë, madje sipas tij edhe largimin nga politika pas 26 prillit.
Astrit Patozi: Nëse ne kemi identifikuar tre forca kryesore si problemi i këtij vendi dhe i kemi shpallur si kundërshtarët tanë politikë në këto zgjedhje, ata nuk dinë të bëjnë ndryshimin brenda tyre. Si mund të sjellësh ndryshimin kur je larg edhe Partisë Socialiste edhe lëvizjes Socialiste për Integrim. Partia Socialiste e ka filluar fushatën dhe i është drejtuar në tufë, Partisë Demokratike dhe Partisë Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke thënë që do t’i marrim prapë përpara, Lulin, Berishën, Monën dhe Ilirin. LSI-ja në dy frëngjitë e veta, edhe në presidencë, edhe në selinë e partisë, ka identifikuar Edi Ramën, duan ta rrëzojnë nga pushteti. Këto duan të më rrëzojnë mua, Myslim Murrizin, Jozofina Tpallin e të tjerë, para fushatës. Lulzim Basha, por edhe lidershipi i tij, po ai në vetë të parë e mendon opozitën si një pronë, e ka trashëguar ta dërgojë në shtëpi, e dikush që futet aty brenda, i merr një copë. Ai këtë ka merak, të ruaj oborrin e opozitës. Lulzim Basha humbi 2017 kur ne nuk ishim fare, madje ishim votues të Partisë Demokratike të sapo larguar, nuk kishim asnjë mundësi që t ndikonim, atij i munguan gati 300 mijë vota. Këto 300 mijë vota që munguan atëherë që nuk ishim, ndoshta i marrim ne. Nuk jam aq naiv sa të mendoj që ne do t’i rrëzojmë ata që ditën e parë, por nëse ne imponohemi, diga po mori ujë është e destinuar të shkatërrohet.
Denis Dyrnjaja: Po them metaforikisht, nëse Lulzim Basha do të merret nesër me ju, ju do të merreni me të?
Astrit Patozi: Jo. Unë do të përpiqem të merrem sa më pak me Lulzim Bashën, nuk kam kohë për të humbur me të. Ai sigurisht do të merret, nëse nuk do të merret vetë do të porosisë rrjetat e tij apo qentë e gjahut të më sulmojë, unë e pres por nuk më bën fare përshtypje. E para se kam aq eksperiencë dhe aq vite në politikë sa që i kam disa luspa që nuk më impresionojnë. Unë besoj tek lindja ime dhe them se bindja ime është e shumica e shqiptarëve, nëse do të merret me ne, udha e mbarë e qoftë, por ta nënshkruaj që tani që është jo vetëm në opozitë, por jashtë politike pas 26 prillit.
Top Channel