Një javë para ditës së zgjedhjeve, Presidenti Trump dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden po vizitojnë shtete të lëkundura në përpjekje të ethshme për të forcuar mbështetjen për të fituar më 3 nëntor. Aktivitetet e planifikuara reflektojnë intensitetin e garës, ku zoti Biden kryeson me 7-9% në shkallë kombëtare dhe afro gjysmën e asaj epërsie në shtetet e lëkundura që ka të ngjarë të vendosin rezultatin përfundimtar.
Të martën presidenti po zhvillon fushatë në Miçigan, Uiskonsin dhe Nebraska, tre shtete ku ai fitoi në garën e 2016-ës përballë rivales Hillary Clinton. Por anketat tregojnë se këtë radhë presidenti renditet pas zotit Biden në Miçigan dhe Uiskonsin. Zoti Biden, në dukje plot vetëbesim nga anketat e fundit, do të bëjë dy ndalesa në Xhorxhia, një shtet konservator që nuk ka mbështetur një kandidat demokrat për president që në vitin 1992. Anketat tregojnë se dy kandidatët janë aktualisht me mbështetje të barabartë në një garë të fortë për 16 votat elektorale të shtetit Xhorxhia.
Në shumicën e shteteve, fituesi i votës popullore merr të gjitha votat elektorale. Të dy kandidatët shpresojnë që të fitojnë në një numër të mjaftueshëm shtetesh për të marrë një total prej të paktën 270 nga 538 votat e Kolegjit Elektoral. Megjithëse Presidenti Trump e humbi votën popullore katër vjet më parë dhe sipas anketave mund ta humbasë përsëri këtë radhë, ai ka gjasa të marrë numrin e nevojshëm të votave elektorale nëse siguron fitore në shtete të lëkundura ku ai po bën fushatën intensive këto ditë.
Katër vjet më parë, zoti Trump fitoi me diferencë të ngushtë në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, të cilat tradicionalisht kanë votuar për demokratët. Presidentit i duhet fitorja në një shtet si Pensilvania që ka 20 vota elektorale, si dhe të përsërisë fitoren në shtetet që fitoi në 2016 për të arritur fitoren. Analistët parashikojnë një numër formulash që çojnë në fitoren e zotit Biden, përfshirë fitoren në Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, përveç fitores në shtetet tradicionale demokrate.
Këtë javë, zoti Biden do të shkojë në Ajova, një tjetër shtet që votoi për Presidentin Trump në 2016. Kandidatja demokrate për nënpresidente, Kamala Harris do të vizitojë Arizonën ku sipas anketave zoti Biden kryeson aktualisht, si dhe Teksasin, ku presidenti është në epërsi. Teksasi me 38 vota elektorale ka peshë të konsiderueshme në zgjedhje. Ish-nënpresidenti Biden duket se ka nxjerrë mësime nga gabimet e zonjës Clinton në 2016, kur ajo nuk bëri një ndalesë të minutës së fundit në Uiskonsin. Zoti Biden do të shkojë në Uiskonsin këtë javë, si dhe në Miçigan dhe në shtetin e fuqishëm të Floridës.
Presidenti zhvilloi fushatë në Lansing, Miçigan të martën duke theksuar mbështetjen e administratës së tij për industrinë e automjeteve, para se të nisej për një qytetin Uest Sejlëm të Uiskonsinit dhe më pas në Omaha të Nebraskës në mbrëmje. Gjatë aktiviteteve para mbështetësve, presidenti ka kritikuar median duke thënë se përqendrohet më shumë se është e nevojshme tek koronavirusi, ndërkohë që ka premtuar se do ta rimëkëmbë ekonominë e dërrmuar nga pandemia.
“E VETMJA GJË KU MEDIA DO TË PËRQËNDROHET ËSHTË COVID, COVID, COVID. Më 4 NËNTOR NUK DO TË DËGJOHET MË KAQ SHUMË KJO TEMË. PO E BËJMË KTHESËN,” tha presidenti në një postim në Twitter.
Rivali i presidentit, Joe Biden ka kritikuar disa herë reagimin e administratës ndaj pandemisë në një moment që kërkonte “udhëheqje presidenciale. Në një moment kur nevojitej, presidenti ngriu, e zuri paniku. Sot, tetë muaj pas shpërthimit të krizës, ai ende nuk ka një plan për të vënë nën kontroll virusin, nuk do të dëgjojë shkencëtarët dhe nuk ka aftësinë të udhëheqë vendin,” tha zoti Biden.
Më shumë se 66 milionë amerikanë kanë hedhur deri tani votën në votime të hershme ose me postë. Shumë prej tyre thonë se nuk duan të shkojnë në qendra votimi në ditën e zgjedhjeve në kushtet e pandemisë./VOA
Top Channel