Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nënshkroi sot një marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, përmes së cilës synohet lehtësimi i studimeve të studentëve në fushën e shkencave albanologjike, si një interes institucional dhe kombëtar.
Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido dhe nga Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Prof. Dr. Sabri Laçi, në vazhdën e bashkëpunimit midis dy palëve në fushën e kërkimit shkencor dhe botimeve, nëpërmjet qasjes së lirë në fondet arkivore dhe botimeve të përbashkëta të lidhura me to. Të pranishëm ishin edhe zv/dekani Andi Pinari si dhe profesoresha Valentina Duka, shefe e departamentit të Historisë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Dr. Ardit Bido tha se kjo marrëveshje u mundëson të gjithë studentëve në nivel bachelor dhe master që të mund të marrin dokumente falas, një mënyrë kjo për të nxitur studime në fushën albanologjike dhe në fushën historike.
“Studentët për të bërë një temë bachelor dhe master, tashmë përmes kësaj marrëveshjeje, me një autorizim nga departamenti, duke përcaktuar pedagogun përkatës udhëheqës, do të mundet që për një sasi të caktuar që do të konsiderohet rast pas rasti për çdo temë, të marrin dokumentacionin falas në Arkivin Qendror Shtetëror ” tha Dr. Bido.
Nga ana e tij, Prof. Dr. Sabri Laçi duke falenderuar drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave tha se kjo marrëveshje me Arkivin Qendror Shtetëror është në rrugën e duhur pasi dhe nga bashkëpunimet e mëparshme me arkivin e shtetit marrëdhëniet kanë qenë shumë të mira, duke e konsideruar një nga partnerët më të rëndësishëm të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.
“Departamenti i Historisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë ka qënë në lartësinë e duhur për sa i përket punës kërkimore shkencore dhe mbështetja e arkivit në këtë rast është për tu shënuar. Sigurisht ne kemi dhe partnerë të tjerë dhe jemi në vazhdën e zgjerimit të partnerëve kombëtar dhe ndërkombëtar, sa i përket zgjerimit të hapësirave të punës kërkimore shkencore, për student, për staf, për të gjithë kërkuesit shkencor që dëshirojnë të kontribojnë në studimin dhe rishikimin e historisë së Shqipërisë dhe më gjerë ” u shpeh Prof. Dr. Sabri Laçi.
Qëllimi dhe targeti kryesor i bashkëpubimeve të këtilla janë studentët, të cilëve u krujihen lehtësi në jetën e tyre akademike, duke ua bërë më të lehtë qasjen deri tek infromacioni dhe fondi historik që disponon DPA. Me këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave merr përsipër të mbështesë Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë me burimet arkivore në formë digjitale deri në 20 mijë imazhe në vit pa pagesë. Përveç kësaj, DPA dhe FHF angazhohen në organizimin e konferencave, simpoziumeve, tryezave dhe kongreseve shkencore, në fushat e interesit të përbashkët si dhe për promovimin e përbashkët të personaliteteve dhe momenteve kyçe të historisë kombëtare.
Top Channel