Agjencia e KB-së: Irani po ndërton një uzinë nëntokësore

28/10/2020 14:12

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA) tha se Irani ka filluar ndërtimin e një uzine nëntokësore pranë objektit të tij bërthamor në Natanz.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Rafael Grossi, tha në një intervistë në Berlin se, struktura duket të jetë një zëvendësim i objektit që shpërtheu në muajin korrik. Teherani e kishte quajtur shpërthimin një sulm sabotazhi.

“Ata kanë filluar ndërtimin, por nuk është përfunduar. Është një proces i gjatë”, tha Grossi. Agjencia gjithashtu më 28 tetor lëshoi imazhe satelitore që dëshmonin për fillimin e punimeve.

Grossi tha se Irani po grumbullon sasi më të mëdha të uraniumit të pasuruar, por nuk duket se ka mjaft për të prodhuar një armë bërthamore. Kreu i programit bërthamor të Iranit, Ali Akbar Salehi, tha në televizionin shtetëror muajin e kaluar se uzina e shkatërruar do të zëvendësohej nga një tjetër.

Ndërsa, Grossi tha se Irani kishte informuar inspektorët e IAEA-së për ndërtimin dhe se ata vazhdojnë të kenë qasje në vendet bërthamore të Iranit pavarësisht prishjes së një marrëveshjeje të vitit 2015, midis Iranit dhe fuqive botërore, që synonte kufizimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimeve të sanksioneve.

Irani këmbëngul se nuk po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga marrëveshja më 2018, duke thënë se ajo nuk mundësoi aq sa duhet adresimin e programit të raketave të Iranit ose mbështetjen që Teherani bën për grupet në Lindjen e Mesme, që janë etiketuar si organizata terroriste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA