​Qeveria me 15 prioritete për ERA 2, BE kërkon zbatim e jo vetëm miratim të ligjeve

28/10/2020 13:57

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit janë ndër 15 prioritetet që Qeveria e Kosovës ka hartuar në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2) deri në vitin 2022, implementimi i të cilave do t’i jep shtytje procesit integrues të vendit drejt BE-së.

Por zyrtarë të kësaj të fundit kërkuan që theks i veçantë i institucioneve kosovare në ERA 2 të jetë zbatimi i ligjit, e jo vetëm miratimi i tij.Kryeministri Avdullah Hoti gjatë një takimi sot me organizatat e shoqërisë civile, tha se qeveria që ai udhëheq ka prioritet integrimin evropian, derisa tregoi edhe arsyet e shkrirjes së ministrisë së integrimeve në Zyrën e Kryeministrit, ku tha se përgjegjësi kryesor në këtë proces do të jetë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

“Integrimi evropian mbetet prioritet për ne, krahas çështjeve që po merremi me baza ditore të menaxhimit të pandemisë, problemet ekonomike dhe sociale. Prioritet ynë mbetet rendi dhe ligji bazë programit qeverisës që e kemi bërë publik dhe mandej janë politikat sektoriale. E integrimet evropiane janë pjesë e gjitha politikave sektoriale, nuk është një çështje e ndarë që ne merremi me të në një moment të caktuar, por janë politika të integrimit evropian në gjithë sektorit dhe gjitha politikat e qeverisë. Me qëllim të vetëm që ne të kemi mundësi përmes zyrës së kryeministrit që është përgjegjëse për mbarëvajtje të politikave në nivel të qeverisë të mbikëqyrim gjitha ministritë tjera sa i përket realizimit të agjendës së integrimit evropian”, tha ai.

Por punë praktike në zbatimin e këtyre prioriteteve po pret shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Me pandeminë COVID-19, ERA 2 tashmë përfshinë edhe sektorin e shëndetësisë, menaxhimin e pandemisë sikurse edhe masat për të miratuar rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale. Pastaj janë të drejtat themelore, njerëzore si zbatimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për mbrojtjen e fëmijëve, barazisë gjinore, çështjet e brendshme dhe ato të trashëgimisë. Theksi kryesor i kësaj faze të ERA 2 është zbatimin e legjislativin dhe jo vetëm miratimin e legjislacionit”, u shpreh ai.

E shefi i dikasterit që udhëheq me procesin integrues të Kosovës në BE, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj paraqiti tri shtyllat kryesore të ERA 2 që bartin pesëmbëdhjetë prioritetet.

“Gjatë përgatitjes së ERA-së kemi zhvilluar konsultime në të gjitha nivelet, këto kanë çuar në një listë prej 15 prioritetesh që do të zbatohen deri në vitin 2022. Ato janë ndarë në tre shtylla. Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrushmëria klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm dhe e treta punësimi, arsimi dhe shëndetësia. Shtylla e parë përbënë katër prioritete që prekin luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në sistemin e drejtësisë, reformën në administratën publike, IT, të drejtën themelore të njeriut dhe reformën e sistemit zgjedhor. Shtylla e dytë përmban gjashtë prioritet që prekin tregun e brendshëm. Klimën afariste të investimeve, ndërmarrjet e vogla të mesme, energjinë, mjedisin menaxhimin e financave publike, prokurimin publik dhe trajtimin e ekonomisë jo formale. Shtylla e tretë përmban pesë prioritete që prekin rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike pas pandemisë COVID-19, përmirësimin në përfshirjen në tregun e punës së grave të rinjve dhe minoriteteve, pastaj personave me nevoja të veçanta, shëndetin dhe sigurinë në punë, përmirësimin e nivelit arsimor në të gjitha nivelet dhe përmirësimin e institucioneve kyçe të sistemit shëndetësor”, tha ai.

Në takim me shoqërinë civile, mes tjerash u tha se do të krijohen mekanizma të përbashkëta për monitorimin e zbatimit të këtyre prioriteteve./Kosova Press/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA