Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar vdekjen e një eksponenti të lartë të al-Kaidas në Afganistan, duke e quajtur këtë zhvillim një goditje të rëndësishme ndaj grupit terrorist, megjithë konfuzionin në njoftimet fillestare për pozicionin e tij në hierarkinë e Al-Kaidas.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, konfirmoi vdekjen e Abu Muhsin al-Masrit të hënën, duke thënë se forcat amerikane ofruan mbështetje gjatë operacionit afgan në provincën lindore Ghazni.
Në vazhdim, Shtëpia e Bardhë ofroi edhe konfirmimin e saj, duke e lavdëruar operacionin afgan për eliminimin e al-Masrit si një “lajm të mirëpritur”.
We commend the Afghan forces for their successful operation against al-Qa’ida senior leader Abu Muhsin al-Masri. His removal is welcome news in the fight against Al-Qa’ida and denying it a safe haven in Afghanistan.
— NSC (@WHNSC) October 26, 2020
Komentet nga zyrtarët amerikanë vijnë dy ditë pasi Drejtoria Qendrore e Sigurisë së Afganistanit (NDS) njoftoi e para vdekjen e al-Masrit nëpërmjet një mesazhi në Twitter në orët e vona të së shtunës, duke e përshkruar atë si numrin dy të njërës prej degëve të Al-Kaidas në Nënkontinentin Indian (AQIS).
قتلت قوات الأمن الوطنی الشخص الثاني في تنظيم القاعدة أبو محسن المصري، القائد الأعلى للقاعدة في شبه القارة الهندية ، خلال عملية خاصة في ولاية غزنة. pic.twitter.com/tuT8IAFUaX
— NDS Afghanistan (@NDSAfghanistan) October 24, 2020
NDS gjithashtu tha se al-Masri kishte lidhje të afërta me udhëheqësin e al-Kaidas, Ayman al-Zawahiri, dhe se jetonte në Afganistan nën mbrojtjen e talibanëve.
Në përgjigje të mesazheve në Twitter të palës afgane, Drejtori i Qendrës Kombëtare Amerikane Kundër Terrorizmit, Christopher Miller, i tha të shtunën vonë agjencisë së lajmeve Reuters se vrasja e al-Masrit ishte “një goditje e rëndë” për al-Kaidan, megjithëse nuk pranoi të japë detaje të mëtejshme.
Sidoqoftë, disa zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë kundër terrorizmit i thanë Zërit të Amerikës se megjithëse me domethënie, vdekja e al-Masrit nuk është goditja që u përshkrua në disa variante.
Ata thanë se në veçanti raportet që thonë se al-Masri ishte i dyti në hierarki pas Zawahirit janë të gabuara, dhe se e kanë ngatërruar me një tjetër eksponent që ndonjëherë përdor pseudonimin al-Masri.
Ata thonë se al-Masri i vrarë në provincën Ghazni të Afganistanit është Abu Muhsin al-Masri, i njohur gjithashtu si Husam Abd al-Ra’uf, një udhëheqës i lartë i cili së fundmi ishte caktuar të punonte me talibanët për bashkëpunimin operacional dhe koordinimin e strehëve të sigurta për luftëtarët e al-Kaidës.
Këta zyrtarë thonë se udhëheqësi numër dy i al-Kaidës, dhe pasardhës i mundshëm i al-Zawahiri, është një al-Masri tjetër, Abu Muhammad al-Masri, i njohur gjithashtu si Abdullah Ahmed Abdullah.
Ndërsa të dy burrat kanë qenë në listën e më të kërkuarve të FBI-së, Departamenti i Shtetit po ofron një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacionin që sjell Abu Muhammad al-Masrin para drejtësisë.
Në një seri mesazhesh në Twitter të dielën, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani lavdëroi forcat afgane për operacionin që vrau Abu Muhsin al-Masrin.
Por zoti Ghani paralajmëroi se operacioni tregon se, “terrorizmi mbetet ende një kërcënim i madh për Afganistanin, rajonin dhe botën dhe se talibanët nuk i kanë ndërprerë ende lidhjet e tyre me rrjetet e tjera terroriste, përfshirë al-Kaidën”.
President Ghani praises ANDSF for killing Al-Qaida key member in Ghazni
The valiant Afghan Defense and Security forces succeeded to kill Abu Muhsin Almisry, a key member of Al-Qaida terrorist network for the India sub-continent during a special operation in Ghazni province.
— ارگ (@ARG_AFG) October 25, 2020
Zyrtarët lokalë i mbështetën këto deklarata duke i thënë shërbimit afgan të Zërit të Amerikës të hënën se luftëtarët talebanë ishin me Abu Muhsin al-Masri kur hynë forcat afgane.
“Një komandant taliban, Emran Hanzalah, dhe disa luftëtarë të tjerë u vranë”, tha Vahidullah Jumah Zada, një zëdhënës i guvernatorit të provincës Ghazni.
Një zyrtar tjetër i tha Zërit të Amerikës se nuk është e zakonshme të shohësh të huaj që duket se janë nën mbrojtjen e talibanëve.
“Njerëz të tillë shihen shumë në rrethet Qarah Bagh, Andar dhe Giru”, tha Esmatullah Jamoradwal, një anëtar i Këshillit Krahinor të Ghaznit. “Ata flasin urdu, arabisht dhe gjuhë të tjera”.
“Talibanët nuk i lënë vendasit t’i shohin ata nga afër dhe është e qartë se mes tyre janë shumë luftëtarë të huaj”, shtoi ai.
Disa zyrtarë të antiterrorit të Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara po nënvlerësojnë forcën e al-Kaidës në Afganistan.
Një raport i OKB-së i publikuar në korrik paralajmëroi se grupimi “është fshehtazi aktiv në 12 provinca afgane”, duke shtuar se komandon ndoshta 400 – 600 luftëtarë.
Raporti tha se AQIS besohet të ketë deri në 200 luftëtarë të tjerë në dispozicion; shumë prej të cilëve po u ofrojnë mbështetje talibanëve./VOA/
Top Channel