Në Maqedoninë e Veriut 22 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit, brenda një dite të vetme.
Gjendja po përkeqësohet nga dita në ditë për shkak të mosrespektimit në tërësi të masave dhe protokolleve të vendosura nga autoritetet. Brenda 24 orëve të fundit u regjistruan 561 raste të reja me COVID-19 nga 1901 testime të kryera nga e shtuna deri të dielën. Situata në Maqedoninë e Veriut paraqitet mjaft e keqe për nga shifrat e viktimave dhe të të prekurve prej virusit vdekjeprurës.
Që nga shpërthimi i pandemisë deri tani kanë humbur jetën 919 persona; janë regjistruar 26954 të infektuar, prej të cilave 7408 mbeten aktive. Viktimat e ditës së fundit janë të moshës nga 55 në 88 vjeç. Shumica janë nga Shkupi, Dibra e Gostivari. Spitalet që trajtojnë pacientët me koronavirus pothuaj se janë të mbushura. Rastet më të rënda nga i gjithë vendi dërgohen në tre spitale të kryeqytetit. Autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për respektimin e masave, që janë mbajtja e maskave, ruajtjes së distancës fizike dhe higjienës personale. Parlamenti pritet të marrë vendim për të imponuar një sërë masash të reja kufizuese.
Autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e vendosjes së orës policore nëse gjendja vazhdon të përkeqësohet.
Top Channel