Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan aleatin e NATO-s Turqinë për “pasoja serioze” pasi ushtria turke testoi një sistem të mbrojtjes raketore S-400 të prodhuar nga Rusia.
“Departamenti amerikan i mbrojtjes dënon në termat më të fortë të mundshëm testimin që i bëri Turqia në 16 tetor sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 “, tha zëdhënësi i Pentagonit Jonathan Hoffman.”Ne kundërshtojmë një lëvizje të tillë që rrezikon pasoja serioze për marrëdhëniet tona të sigurisë “, shtoi Hoffman.
Departamenti i Shtetit gjithashtu e cilësoi provën e Turqisë si të papranueshme dhe një “hap të qartë në drejtimin e gabuar”. Në Stamboll, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konfirmoi se testet ishin realizuar dhe se do të vazhdojnë.”Ne nuk do të kërkojmë leje nga Amerika,” u tha Erdogan gazetarëve.
Të dy aleatët e NATO-s kanë qenë prej kohësh në mosmarrëveshje rreth sistemit ajror të mbrojtjes S-400 dhe Uashingtoni pezulloi Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë F-35 vitin e kaluar pas blerjes së sistemit të mbrojtjes raketore.
Një ditë më parë sakaq, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara njoftoi se po pezullonte përkohësisht të gjitha shërbimet për qytetarët amerikanë dhe ato të vizave në konsullatat e saj në Turqi, për shkak të raporteve për sulme të mundshme terroriste.
Top Channel