Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen përjetë. Çfarë mendojnë amerikanët?

25/10/2020 04:34

Anëtarët e Gjykatës së Lartë shërbejnë në detyrë për gjithë jetën, pasi emërohen nga presidenti dhe konfirmohen nga Senati. Por shumica e amerikanëve mendojnë se kjo duhet të ndryshojë, sipas një raporti mbi reforma në gjyqësor të përgatitur nga Universiteti Washington në Seint Luis dhe Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë.

Beteja e fundit për konfirmimin e Gjykatëses Amy Coney Barrett, e zgjedhur nga Presidenti Trump për të mbushur vendin e mbetur bosh pas vdekjes së Gjykatëses Ruth Bader Ginsburg, ndërkohë që mbeten vetëm pak ditë deri në zgjedhjet presidenciale, ka rindezur debatin për reformimin e Gjykatës së Lartë.

Disa zëra liberalë në radhët e demokratëve kanë ngritur idenë e rritjes së numrit të anëtarëve të gjykatës. Anketa e zhvilluar para vdekjes së zonjës Ginsburg arrin në përfundimin se më pak se 1/3 e amerikanëve mbështesin idenë e shtimit të numrit të anëtarëve por shumica mbështet idenë e vendosjes së afateve kohore për mandatet.

“A mendoj se ia vlen të diskutohet? Besoj se po, pjesërisht sepse Kushtetuta u hartua në 1789, kur njerëzit jetonin mesatarisht deri në 40, 45 vjeç,” thotë Nicole Huberfeld, pedagoge e jurisprudencës në Universitetin e Bostonit. “Pra, kur emërohen për gjithë jetën nuk është më njësoj, pasi tani njerëzit jetojnë mesatarisht deri në 78 apo 80 vjeç. Në rastet e fundit, gjykatësit që u përfshinë në këtë institucion ishin në të 40-tat. Nuk besoj se e kishte menduar njeri se një gjykatës do të qëndronte për 30-40 vjet në Gjykatën e Lartë,” shton ajo.

Në një letër dërguar Kongresit në vitin 2017, 21 dijetarë të jurisprudencës nga universitete si Harvardi, Duke, Columbia dhe Universiteti i Miçiganit, bënin thirrje për kufizimin kohor të mandateve në 18 vjet. Kur të mbarojë mandati, gjykatësi mund të vazhdojë punën në një gjykatë më të ulët nëse dëshiron, ose të mbushë një vend të mbetur bosh përkohësisht në Gjykatën e Lartë kur vdes dikush.

Grupi Fix the Court, — Të ndreqim Gjykatën, e vetëquajtur organizatë jo-partiake, punon për reforma në gjyqësor. Ky grup mbështet idenë që presidenti të ketë të drejtë të emërojë një anëtar për Gjykatën e Lartë në vitin e parë dhe të tretë të mandatit. “Nëse kemi një proces emërimi me afat të caktuar do të ulte temperaturën e procesit dhe do t’i bënte partiakët të thonin ‘Ky kandidat nuk më pëlqen, por pas dy vjetësh ndoshta do të emërohet një kandidat që e pëlqej’,” thotë Gabe Roth i organizatës Fix the Court. “Pra në vend që të përdorin çdo gur që kanë në dorë për një kandidat, mund të presin sepse pas dy vjetësh do të kenë shansin për një emërim tjetër”.

Disa ekspertë ligjorë besojnë se nevojiten reforma, pjesërisht pasi tani Gjykata e Lartë ka autoritet të tepërt. “Ndoshta një krizë do t’i bëjë amerikanët të mendojnë: Përse u kemi dhënë gjykatave autoritet kaq të madh?” tha për portalin Politico Daniel Epps, profesor i jurisprudencës në Universitetin e Uashingtonit, i cili ka punuar si ndihmës për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Anthony Kennedy.

“Gjatë 20 vjetëve të fundit, në vend që të vendosin zyrtarët e zgjedhur me votë se kush i fitoi zgjedhjet presidenciale, nëse duhet të nxjerrim jashtë ligji dënimin me vdekje, si të hartojmë rregulloret për mjedisin, apo për kujdesin shëndetësor, si mund të praktikojnë amerikanët besimin fetar në hapësira publike, këto vendime i ka marrë Gjykata e Lartë,” thotë zoti Roth. “Nëse vendosim afate kohore mbi mandatin e gjykatësve, do të kufizohej autoriteti individual i çdo gjykatësi dhe autoriteti i gjykatës në tërësi,” thotë ai.

Pedagogia Huberfeld e Universitetit Boston është dakord me idenë që të rishikohet afati kohor i mandateve, por ajo nuk mendon se Gjykata e Lartë ka shumë autoritet në dorë. “Është detyra e gjykatës të interpretojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Për këtë është krijuar. Mendoj se njerëzit po e përdorin gjykatën si mjet për të luftuar ligjet që nuk i pëlqejnë dhe po dalin me teori të reja, të cilat i paraqesin në gjykata të shkallës së ulët. Mendoj se ajo që shohim ka të bëjë me strategjinë e argumentimit në gjyq dhe fondet e shumta që po shpenzohen për të mbështetur kauza të caktuara, por jo aq me autoritetin që gëzon Gjykata e Lartë,” thotë ajo.

Raporti mbi reforma në gjyqësor tregon se 47% e të anketuarve besojnë se çdo vendim i Gjykatës së Lartë që deklaron jo-kushtetues një ligj të miratuar nga Kongresi duhet miratuar nga të paktën 7 nga 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe jo nga një shumicë e thjeshtë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA