SHBA kritikon ashpër Turqinë, paralajmëron për “pasoja serioze”

24/10/2020 08:58

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë duket se po rriten, pas shkëmbimit të replikave mes dy vendeve aleate për blerjen nga Ankaraja të sistemit mbrojtës ajror të Rusisë, S-400.

Mosmarrëveshja më e fundit u shfaq të premten, pasi Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan konfirmoi njoftimet e mëparshme se Turqia ka filluar testimin e sistemit të prodhuar nga Rusia, duke anashkaluar shqetësimet e shprehura nga Shtetet e Bashkuara.

“(Testimet) kanë qenë duke u zhvilluar dhe po zhvillohen”, u tha zoti Erdogan gazetarëve. “Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara absolutisht nuk na shqetëson”.

“Nëse nuk do t’i testojmë këto aftësi në dispozicionin tonë, atëherë çfarë do të bëjmë?”, shtoi ai.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes u përgjigj disa orë më vonë të premten, me një deklaratë të ashpër që megjithatë nuk e akuzoi Turqinë për tradhëti ndaj aleancës.

“Departamenti amerikan i Mbrojtjes dënon në mënyrën më të fortë të mundshme testimin e 16 tetorit në Turqi”, tha zëdhënësi kryesor i Pentagonit, Jonathan Rath Hoffman, duke paralajmëruar se testimi “rrezikon (të sjellë) pasoja serioze për marrëdhënien tonë në fushën e sigurisë”.

“Kemi qenë të qartë dhe të palëkundur në pozicionin tonë”, shtoi zoti Hoffman. “Një sistem operacional S-400 nuk është në përputhje me angazhimet e Turqisë si aleate e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s”.

Njoftimet se Turqia kishte filluar testimin e sistemit të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia, dolën për herë të parë javën e kaluar, duke shkaktuar një seri kritikash nga Pentagoni, Departamenti i Shtetit dhe disa ligjvënës amerikanë.

Pentagoni, në atë kohë, paralajmëroi Turqinë se sistemi “nuk duhet të aktivizohet”.

Turqia nënshkroi një marrëveshje për të blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia në vitin 2017 dhe dërgesat e para filluan në korrik të vitit të kaluar.

Që atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar pjesëmarrjen e Turqisë në programin e saj të avionëve luftarakë të pakapshëm nga radarët, F-35, dhe, herëpashere, ka shqyrtuar sanksione të mundshme kundër Turqisë edhe pse është një vend aleat në NATO.

Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se përdorimi nga Turqia i teknologjisë së përparuar të radarëve rusë mund të rrezikojë sistemet ushtarake të NATO-s dhe potencialisht mund të përdoret për të vendosur në objektiv avionët e NATO-s në Turqi, përfshirë F-35.

Turqia më parë ka hedhur poshtë shqetësime të tilla dhe zoti Erdogan tregoi të premten se ndoshta Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë në dorë për ta detyruar që të ndryshojë kursin.

“Duket se zotërinjtë (në Shtetet e Bashkuara) janë veçanërisht të shqetësuar se kjo është një armë që i përket Rusisë”, u tha zoti Erdogan gazetarëve, para se të shtonte se, “Ne jemi të vendosur; ne po vazhdojmë në rrugën tonë si gjithmonë”./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA