Gjyqtarja Barret në hapin e fundit të konfirmimit në Senat

24/10/2020 04:35

Republikanët e Komisionit Juridik të Senatit amerikan miratuan të enjten kandidaten e Presidentit Trump për në Gjykatën e Lartë, gjyqtaren Amy Coney Barrett për të plotësuar vendin e lënë bosh nga vdekja e gjyqtares Ruth Bader Ginsburg muajin e kaluar, pavarësisht protestave të demokratëve votimi është shumë afër Ditës së Zgjedhjeve.

Me praninë e vetëm anëtarëve republikanë të Komisionit Juridik të Senatit gjyqtares Amy Coney Barrett iu hap rruga e votimit për konfirmimin nga Senati i plotë. Republikanët e përshëndetën angazhimin e gjyqtares Barrett se ajo nuk do të ndikohej nga pikëpamjet personale në vendimet e saj. “Në rastet e debatueshme nuk do të zbatohet ligji i Amy-it, por ligji siç është i shkruar në Kushtetutë, ose statuti më i mirë ose cilido organ rregullator që ajo do të përdorë për të shqyrtuar rastet. Ajo do ta marrë detyrën pa axhendë”, tha senatori republikan Lindsey Graham.

Por anëtarët demokratë të Komisionit Juridik të Senatit janë kundër dhe e bojkotuan votimin e së enjtes, duke e quajtur atë një proces jo legjitim. “Senati i Shteteve të Bashkuara nuk ka konsideruar kurrë, asnjëherë një emërim për anëtar të Gjykatës së Lartë kaq afër ditës së zgjedhjeve presidenciale, veçanërisht kur miliona amerikanë tashmë kanë votuar. Populli amerikan e kundërshton këtë dhe mund ta shohë hipokrizinë në kohë reale”, tha senatori demokrat Chuck Schumer. Por sondazhet tregojnë se mbështetja për gjyqtaren Barrett u rrit gjatë seancave të konfirmimit të saj.

“Shumica e qartë e amerikanëve dëshiron që gjyqtarja Barrett të konfirmohet. Nga bashkëqytetarët tanë që ndoqën këtë çështje, afërsisht dy në tre prej tyre duan konfirmimin e saj”, tha udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell. Demokratët argumentojnë se republikanët po nxitojnë të konfirmojnë gjyqtaren Barrett përpara ditës së zgjedhjeve, sepse ata parashikojnë ankimin në gjykatë lidhur me numrin rekord të votimit me postë. “Presidenti ka thënë vazhdimisht se ai ka nevojë për gjyqtaren Barrett në Gjykatën e Lartë, kur ai ngre pretendimet e tij të pabaza në lidhje me votimin me postë”, tha senatori demokrat Patrick Leahy.

Demokratët morën pjesë në seancat me pyetje përgjigje të javës së kaluar për gjyqtaren Barrett, duke ngritur shqetësimet se vota e saj mund të jetë përcaktuese në disa çështje si ajo e të drejtës së abortit dhe për ligjin e kujdesit shëndetësor të administratës Obama që ofron sigurime shëndetësore për miliona amerikanë. “Ne donim të tregonim se çfarë është në rrezik për Amerikën nëse Amy Coney Barrett konfirmohet. Ne i paraqitëm argumentet tona në lidhje me rreziqet ndaj aktit të Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor, veçanërisht të drejtat e abortit, të drejtën e votës dhe barazinë për të gjithë”, tha senatorja demokrate, Dianne Feinstein.

Megjithatë, konfirmimi i gjyqtares Barrett është pothuajse i sigurt sepse republikanët kanë shumicën në Senat. “Nga pikëpamja politike, qëllimi i demokratëve ishte të tërhiqnin vëmendjen tek hipokrizia e disa senatorëve, të cilët katër vjet më parë kishin thënë para kamerave se kjo nuk duhej bërë”, thotë Casey Burgat nga Universiteti George Washington. Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale, konfirmimi i gjyqtares Barrett përmbush një premtim kryesor të fushatës së Presidentit Trump.

“Kjo është, në shumë mënyra, arritja më e rëndësishme e Presidentit Trump në detyrë. Duke emëruar një eksperte parimore të kushtetutës në Gjykatën e Lartë, Presidenti Trump përmbushi premtimin që ai i bëri popullit Amerikan”, tha senatori republikan, Ted Cruz. Debati në Senatin e plotë mbi emërimin e gjyqtares Barrett do të zhvillohet këtë fundjavë dhe do të pasohet me një votim përfundimtar për konfirmimin e saj të hënën në mbrëmje./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA