Instituti gjerman Robert Koch raportoi më shumë se 11 mijë raste brenda një dite nga koronavirus, hera e parë kjo që prej fillimit të pandemisë që Gjermania kapërcen pragun e 10 mijë infektimeve në 24 orë.
Kreu i këtij instituti, Dr. Lothar Wieler tha se gjendja po bëhet shumë serioze. Ai i mëshoi rëndësisë që ka respektimi i rregullave për frenimin e sëmundjes, përfshirë distancimit social, larjen e duarve, maskat dhe ajrosjen e shpeshtë të ambjenteve të brendshme. Wieler paralajmëroi po ashtu për shmangien në maksimum të festave private, të cilat janë kthyer së fundi në këtë vend në një burim kryesor të përhapjes së infeksionit.
Më herët, Franca dhe Spanja u bënë vendet e para europiane që shënuan më shumë se 1 milionë infektime nga koronavirusi. Shifrat po rriten në të gjithë kontinentin e vjetër, e në disa vende të tij madje rastet tani janë edhe me të shumta sesa në mars e prill. Kjo situatë i ka detyruar qeveritë anekënd Europës të rivendosin masa të rrepta kufizuese në qytete e ndonjëherë, edhe në rajone të tëra, edhe pse deri tani, është shmangur rikthimi I karantinave mbarëkombëtare.
Top Channel