Një armëpushim i ri, që synon ndalimin e luftimeve për rajonin e Nagorni Karabakut, duket se është në rrezik.
Forcat armene dhe ato azerbajxhanase e akuzuan njëra-tjetrën për rinisjen e bombardimeve.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë sot konsultime të mbyllura për situatën, derisa shefi i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve që të respektojnë armëpushimin.
Armëpushimi, i shpallur më 17 tetor, ka qenë përpjekja e dytë për të ndaluar luftimet e rënda, që kanë shpërthyer më 27 shtator.
As një marrëveshje tjetër e ndërmjetësuar nga Rusia, një javë më parë, nuk ka arritur t’i ndalë luftimet.
Të hënën, zyrtarët në Nagorni Karabak thanë se forcat azerbajxhanase kanë bombarduar pozicionet e tyre në zonat veriore dhe jugore të Vijës së Kontaktit që i ndan ata.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se forcat armene kanë granatuar pozicionet e saj në rajonet Goranboj, Tartar dhe Aghdam të Azerbajxhanit.
Autoritetet armene në Nagorni Karabak thanë se kanë regjistruar 40 viktima të tjera në mesin e forcave të tyre, duke e çuar numrin e ushtarëve të vrarë armenë në 673.
Azerbajxhani nuk ka publikuar ndonjë shifër të ushtarëve të vrarë.
Nagorni Karabaku është i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset dhe është i populluar nga armenët etnikë.
Dy ish-republikat sovjetike, Azerbajxhani dhe Armenia, kanë zhvilluar një luftë për këtë rajon edhe më 1988-1994, e cila ka lënë rreth 30,000 njerëz të vrarë.
Top Channel