Nuk ka rezistuar dot as armëpushimi i ri mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, të cilat kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për shkeljen e iniciativës së radhës që ka për qëllim ndalimin e luftimeve për rajonin e Nagorno Karabakut.
Ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi një armëpushim i ri mes këtyre dy vendeve hyri në fuqi sot. Një zëdhënëse e Ministrisë armene të Mbrojtjes deklaroi se ka pasur sulme me raketa dhe artileri nga ana e armikut në orët e para të 18 tetorit. Më vonë, Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit reagoi duke thënë se ishin forcat armene ato që kanë kryer sulme me murtaja dhe artileri përgjatë të ashtuquajturës Linjë të Kontaktit, e cila i ndan këto dy vende.
Akuzat e ndërsjella vijnë pasi Armenia dhe Azerbajxhani njoftuan në orët e vona të 17 tetorit se kishin arritur një marrëveshje të re pushim zjarri dhe Ministritë e Jashtme të të dyja shteteve postuan një deklaratë të njëjtë në ueb-sitet përkatëse për të njoftuar arritjen e paktit. Ndërprerja e luftimeve hyri në fuqi në mesnatë, sipas orës lokale.
Në deklaratën e armëpushimit të 17 tetorit thuhej se vendimi për armëpushim erdhi pas deklaratave të bëra më herët gjatë këtij muaji nga presidentet e Francës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara – shtete që kryesojnë të ashtuquajturin Grup të Minskut të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE). Luftimet e fundit në rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut – që nisën më 27 shtator – kanë lënë të vrarë të paktën 600 ushtarë dhe civilë dhe konsiderohen më të ashprat që prej armëpushimit të vitit 1994, që i dha fund luftës ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit për statusin e rajonit të Nagorni Karabakut.
Top Channel