Turqia, anëtare e NATO-s ka testuar sistemin e saj të përparuar të raketave të mbrojtjes ajrore të prodhuar nga Rusia, thanë media turke, duke rrezikuar një acarim të ri me Shtetet e Bashkuara.

Televizioni Haber, që është pranë qeverisë, tha në faqen e tij të internetit se ushtria e Turqisë provoi sistemin rus S-400 të mbrojtjes ajrore ruse në provincën Sinop të Detit të Zi. Zyrtarët ushtarakë dhe të mbrojtjes turke kanë refuzuar të komentojnë raportet. Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se nëse raportet janë të sakta, ai “dënon fuqimisht” provën.

Një zyrtar amerikan tha të premten se SHBA beson se Turqia përdori tre raketa në provë – të gjitha goditjet të suksesshme. Uashingtoni ka paralajmëruar Ankaranë se rrezikon sanksionet e SHBA nëse sistemi S-400 aktivizohet. Ankaraja këmbëngul se ajo u detyrua të blinte sistemin rus pasi Uashingtoni refuzoi t’i shesë atij sistemin patriot të SHBA. Ajo argumenton gjithashtu se është e drejta sovrane e Turqisë për të blerë sistemin që dëshiron. Rusia i dorëzoi Turqisë sistemin e mbrojtjes vitin e kaluar. Turqia fillimisht kishte thënë se S-400 do të hynte në funksionim në prill, por e shtyu aktivizimin e tij.

Gjatë një vizite në Turqi në fillim të këtij muaji, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përsëriti se sistemi i prodhuar nga Rusia, i cili thuhet se i ka kushtuar Turqisë 2.5 miliard dollarë, nuk mund të integrohet në sistemin e mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s. Turqia pritej gjerësisht ta provonte sistemin këtë javë, pasi lëshoi njoftime paralajmëruese që anijet dhe avionët të shmangnin atë zonë në Detin e Zi. Presidenti amerikan Donald Trump është nën presion nga ligjvënësit për të sanksionuar Turqinë lidhur me marrëveshjen S-400.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA