Një sulm me raketa në orët e para të 17 tetorit, në një zonë të banuar në qytetin Ganja të Azerbajxhanit ka lënë të vrarë 13 persona dhe ka plagosur mbi 50 të tjerë, tha Ministria e Emergjencave.
Ekipet emergjente dhe qytetarët po punojnë ende në nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat, raporton Shërbimi i Azerbajxhanit i Radios Evropa e Lirë. Nga ky sulm janë goditur shtëpitë e të paktën 20 familjeve. Edhe një tjetër raketë goditit – pothuajse në të njëjtën kohë – qytetin Migacevir, ku gjendet një digë e madhe.
Ende nuk ka konfirmim nëse diga është dëmtuar nga ky sulm. Sulmet me raketa vijnë disa orë pasi raportua për luftime të reja ndërmjet forcave të Azerbajxhanit dhe Armenisë në dhe përreth rajonit të Nagorno Karabakut, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit në këtë rajon të shkëputur. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për sulme të reja, pavarësisht arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi, që u ndërmjetësua nga Rusia. Baku dhe Jerevani kanë pretenduar se kanë korrur fitore në luftimet në Nagorno Karabak, një territor që banohet me rreth 150,000 etnikë armenë. Luftimet nisën më 27 shtator.
Ka frikë se ky konflikt ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, që po zgjat me dekada, mund të përfshijë edhe Turqinë dhe Rusinë.
Top Channel