Nga Sharra kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj foli për ndryshimin që ka pësuar ky vend nga koha e PD e sot, si dhe kursimin e madh për qytetin, që nga tarifa që paguhej për ton për mbetjet, ku ajo e Bashës ishte 37 euro, ndërsa ajo që paguhet sot është 29 euro.
Kryebashkiaku publikoi një propozim të Lulzim Bashës gjatë kohës që ka qenë kryetar bashkie, mbi inceneratorin e Tiranës ku sipas saj ka qenë 30 përqind më i kushtueshëm se ai i sotmi.
Ndryshim i madh është bërë që nga koha kur siç tha Veliaj, ” malet me plehra të politikës së gabuar janë zëvendësuar me 10 mijë pemë të mbjella”.
Ndërsa u shpreh se përmes kësaj skeme Basha dhe kunati i tij do të fitonin me miliona euro, Veliaj u bëri thirrje të rinjve të largohen nga PD, pasi ajo tashmë është shndërruar në një parti të gjobave dhe në funksion të një familje.
““Kur kryetar bashkie ishte Lulzim Basha, i dha OK një plani i cili ishte shumë ndryshe nga ky plan. Ishte një plan i cili propozonte një pagesë 37 euro/ton. Për çdo ton, qyteti do paguante 37 euro, ndërkohë që qysh në fillim, qyteti do paguante 34.6 milionë euro kompanisë. Ne jo vetëm që nuk e paguajmë këtë 34.6 milionë euro, por ne, në vend që të paguajmë 37 euro, në fakt paguajmë 29 euro/ton. Në qoftë se në Europë shkon diku te 140-150 maksimumi, në Shqipëri ne kemi sot çmimin më të ulët me 29 euro. E kemi 30% më të ulët se çmimi që kishte përgatitur Lulzim Basha, i cili pasi i jep OK këtij propozimi, e çon në Ministrinë e Financave me firmën e vet. Lulzim Basha do paguante për ton, në bashkinë dhe në qeverinë e tij, 8 euro më shumë. 1 mijë ton në ditë, 8 mijë euro në ditë më shumë. 365 ditë, 3 milionë euro më shumë në vit.
Luli nuk ka hall pse qyteti po kursen 3 milionë euro, Luli ka hall se kishte planifikuar t’i merrte ai këto 3 milionë euro, se qartazi ajo punë mund të bëhet me më pak, me 30% më pak. Qyteti i Tiranës sot ka kursyer 30% nga propozimi i Lulzim Bashës. Jo vetëm 30% çdo ditë, por edhe 34.7 milionë që Lul Basha do ta paguante që në fillim fare. Ndaj, unë e kuptoj që ai vajton më shumë fitimin e humbur të tij, sesa kursimet e qytetit. Sigurisht, në kohën kur Lulzim Basha dhe kunati i tij kishin përgatitur të gjithë skemën sesi do t’i faturonin qyteti 30% më shumë, pyetja është: kur kjo punë mund të bëhet me 30% më pak, pse Basha donte të faturonte 30% më shumë? Që përkthehet në 3 milionë euro në vit më shumë për qytetin dhe që përkthehet në 20 vite, në 60 milionë euro dhe në 30 vite, në 90 milionë euro. Ky ishte plan-biznesi i Lul Bashës, që ai dhe kunati i tij në kurriz të qytetit, do ta bënte 30% më shumë”, tha Veliaj.
Kryetari i Bashkisë iu drejtua me një mesazh edhe demokratëve, duke nënvizuar se PD sot nuk përfaqëson shpresën, por partinë e shantazhit.
“Pyetja për gjithë demokratët është pse nuk protestohet sot për Rrugën e Kombit. Çfarë mori kunati që të mbyllej protesta me një fishkëllimë? Pse nuk protestohet më sot për qendrat komerciale. U tha që gjatë pandemisë do shkojmë t’u vërsulemi Qendrave Tregtare. Sa vila mori në Vala Mar, në Gjirin e Lalzit, Lul Basha dhe familja e tij që të mos përmenden më qendrat komerciale në Tiranë. U përmendën disa oligarkë që kanë vilat në Lundër, sa vila mori Basha në Lundër që të mos vazhdojë të përmendë më oligarkët, kriminelët, ata që merrnin gjithë këto afera korruptive në Lundër dhe pse sot ata nuk janë më oligarkë? Pse u ndërpre protesta e Astirit, sa vlente makina që mori Luli nga kontraktori, pse nuk ka më protesta? Por janë shuar me një fishkëllimë.
Ju bëj thirrje demokratëve , se nëse e kanë kuptuar se partia është vënë në funksion të një familje të largohen.
Nuk është më një kundërshtare e denjë, është një mjet gjobvënie e shantazhues. Ata vajtojnë akoma gjobat që nuk volën dot.
Sot Tirana është me pastër sesa kur firma e kunatit zihej me romët për të mbledhur kanaçe.
S’do ju bëjmë kurrë mish për top siç e bën PD. Lulin dhe Kunatin lëri të ikin në Hollandë.
Në fund dua t’i them Lulit, a ke cipë, a ke turp, se si ke degraduar partinë tënde. Ty Lul të ka plasë cipa me kohë, sepse vetëm ke faturuar gjoba që në kohën kur ke qenë kryetar bashkie”, tha Veliaj.
Top Channel