Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë Taulant Balla njofton se ka zhvilluar një takim në Maqedoninë e Veriut me kryeministrin, Zoran Zaev.
Balla shkruan se gjatë takimit me Zaev, u ndan vlerësime të përbashkët se marrëdhëniet e sinqerta miqësore midis kryeministrave Zoran Zaev dhe Edi Rama, janë drejtimi në të cilin po zhvillohen marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Numri dy i PS-së, Taulant Balla dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev theksuan gjatë takimit se të dy vendet besojnë në të njëjtat vlera europiane.
Postimi i plotë i Ballës:
Takimi në Shkup me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut SHTZ Zoran Zaev: Vendet ndajnë vlerat evropiane dhe janë një shembull për rajonin, të cilit i nevojitet miqësi dhe bashkëpunim.
Gjatë takimit me Kryeministrin Zaev ndamë vlerësimin e përbashkët se raportet miqësore midis kryeministrave Zaev dhe Rama, janë një faktor bazë e i rëndësishëm mbi të cilin po zhvillohen marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy kryeministrave Rama dhe Zaev janë gjithashtu një shembull i mirë në rajon dhe një tregues se “atje ku ka vullnet politik, ka respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të suksesshëm”. Të dy vendet tona besojnë dhe promovojnë të njëjtat vlera europiane.
“Të gjitha angazhimet për të ardhmen europiane të vendeve tona janë gjithashtu angazhime për europianizimin e shteteve, me qëllim të një jete më të mirë për qytetarët. Rajoni ka nevojë për miqësi dhe bashkëpunim dhe ato po ndodhin”, tha Kryeministri Zaev.
Gjithashtu gjatë takimit shkëmbyem informacione edhe për avancimin e projekteve të infrastrukturës, lehtësimet kufitare, bujqësinë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, duke e parë rajonin si një treg i përbashkët, i cili mund të jetë më tërheqës për Europën dhe Botën.
Një temë tjetër diskutimi ishte edhe kujdesi për bashkësitë etnike në të dyja vendet, duke theksuar se ato janë një urë miqësie midis dy vendeve tona.
Në këtë takim merrnin pjesë nga pala maqedonase edhe Zëvendës Kryeministri Ljupço Nikollovski, njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i LSDM. Sëbashku në këtë vizitë ishin edhe deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Vasil Sterjovski dhe Kryetari i Bashkisë Prrenjas Nuri Belba.
Top Channel