Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndron sot në Kosovë.

Në Bruksel konfirmuan se Lajçak do të vizitojë edhe Serbinë, për, siç u tha, “zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Kjo çështje duket se ka shkaktuar ngecje në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosova thotë se nuk dëshiron të bisedojë më për të, por Serbia insiston në të kundërtën. Formimi i Asociacionit është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Të hënën në Luksemburg, Lajçak iu adresua ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, shkruan Rel. Pas këtij takimi, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por shprehu bindjen se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA