Në Kosovë gjatë 24 orëve të fundit është shënuar edhe një viktimë e re e koronavirusit.

Kështu ka njoftuar Instituti i Shëndetësisë Publike, në raportin ditor për situatën epidemiologjike në vend. Bazuar në 685 mostra të testuara, të martën janë konfirmuar edhe 98 persona të infektuar me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. IKSHPK thotë se nga sëmundja janë shëruar edhe 37 pacientë, ndërsa raste aktive janë 1.291. Që nga muaji mars kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me koronavirus, deri më tani, janë infektuar gjithsej 16.345 persona, prej të cilëve 14.405 janë shëruar ndërsa 649 kanë vdekur.

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut është shënuar një rënie e shifrave të martën, me 80 raste të reja dhe 3 viktima. Shifër kjo ndjeshëm më e ulët në krahasim me ditët e fundit. Të dhënat i referohen rezultateve të 680 testeve të kryera 24 orët e kaluara. Numri i përgjithshëm i viktimave në vend ka shkuar tashmë në 800, me pjesën më të madhe të tyre në Shkup. Raste aktive në vend ndërkohë janë 3.996 persona. Edhe numri i të shëruarve ka ardhur në rritje, me 97 persona 24 orët e shkuara. Ndërkohë, në kuadër të masave për mbrojtjen nga pandemia, qeveria ka miratuar propozimin e ekspertëve për mbajtjen e maskave edhe në hapësira publike, përveç në rastet e aktiviteteve fizike në natyrë dhe në makinë kur udhëtojnë persona të të njëjtës familje.

Maskat do të jenë të detyrueshme edhe në hapësira publike, transport publik dhe institucione publike ndërsa pas orës 22.00 nuk do të lejohen grumbullime të më shumë se katër personave. Qeveria ka kërkuar respektimin e masave si mundësi e vetme për mbrojtje nga COVID-19 dhe mosngarkimin e sistemit shëndetësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA