Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka marrë pjesë gjatë ditës së sotme në një takim online të parë të mbledhjes vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të grupit të Bankës Botërore.
Gjithashtu në këtë takim të zhvilluar online ka marrë pjesë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj.
Në fjalën e tij Guvernatori Sejko është shprehur se ekonomia shqiptare ka qenë nën efektin e fortë të pandemisë gjatë gjysmës së parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë të vitit 2020, dhe kjo goditje ka dhënë ndikimin e saj në konsum, në investime, në punësim dhe në borxhin publik.
Gjithashtu guvernatori ka theksuar se se pandemia e gjeti sistemin me tregues të mirë financiarë, si dhe me një nivel të mirë kapitalizimi dhe likuiditeti dhe këta parametra kanë vijuar të ruhen të shëndetshëm gjatë gjithë kësaj periudhe.
Në fund ai ka prezantuar edhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë si përgjigje e goditjes së krijuar nga pandemia,ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë vlerësuar qëndrimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila do të kontribuojë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe kthimin e inflacionit në objektiv.
Disa nga çështjet e tjera në të cilat janë zhvilluar diskutimet, ishin nxitja e kreditimit, reduktimi i kredive me probleme dhe zhvillimi i sistemit të pagesave.
Top Channel