Dy persona kanë rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Mirditë pasi u gjetën 3.1 kilogramë kanabis në shtëpinë e njërit prej tyre e bërë gati për shitje.
Autorët janë Gj. V., 53 vjeç dhe bashkëpunëtori i tij E. Z., 32 vjeç, banues në Katund i Vjetër në Mirditë. Sipas policisë, materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i policisë:
Mirditë/ Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, e bërë gati për shitje. Vihen në pranga 2 shtetas. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se dy shtetas posedonin lëndë narkotike, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit GJ. V., në fshatin Katund i Vjetër, Mirditë. Si rezultat i kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3.1 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e bërë gati për shitje. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Gj. V., 53 vjeç dhe bashkëpunëtorin e tij shtetasin E. Z., 32 vjeç, banues në Katund i Vjetër, Mirditë. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel