Protestë para burgut të Peqinit/ Të burgosurit në qeli: Po na dhunojnë të drejtat e njeriut

07/10/2020 15:28
Protesta para burgut

Protesta e të dënuarve të burgut të Peqinit tashmë është përshkallëzuar edhe jashtë dyerve të burgut.

Familjarët e të dënuarve janë bashkuar sot me protestën e tyre duke qëndruar jashtë ambienteve të këtij institucioni në një protestë paqësore por të pandalshme siç kanë deklaruar ata.

Familjarët mbështesin plotësisht kërkesat e të dënuarve ndërsa deklarojnë se të gjitha dënimet janë dhënë nga ajo gjykatë e korruptuar, përfaqësuesit e së cilës po shkarkohen dita ditës nga Vetingu.

Me gjithë përpjekjet përfaqësuesve të zyrës juridike të burgut për të negociuar me familjarët asnjë prej tyre nuk ka pranuar të hyjë brenda ambienteve të burgut.

Përfaqësuesi i zyrës juridike nuk pranon që në ambientet e burgut ka grevë. Ai e cilëson thjesht refuzim ushqimi.

Taulant Balliu e Nikolin Topalli përmes telefonave të familjarëve të tyre kanë kontaktuar me Top Channel ku kanë deklaruar se 250 e të dënuarve janë në grevë urie prej një jave ndërsa kërkojnë takim me avokatin e popullit.

Të dënuarit e burgut të Peqinit i kanë paraqitur institucioneve një listë me 13 kërkesa të mbështetura në ligjet shqiptare dhe praktikat ndërkombëtare. Midis tyre ata kanë kërkuar amnisti gjithëpërfshirëse 5-vjeçare për të gjithë, konvertimin e burgimit të përjetshëm në 25 vite burg, heqjen e dënimit për telefon si dhe kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA