Presidenti Ilir Meta, në konferencën me homologun e tij boshnjak është ndalur edhe tek ndryshimet e Kodit Zgjedhor që pritet të miratohen ditën e sotme në Kuvend.
Sipas presidentit Meta askush nuk duhet që të vërë dorë mbi marrëveshjen e 5 qershorit të arritur nga palët politike.
Kreu i shtetit paralajmëroi deputetët se kushdo që ngre dorën kundër të ardhmes evropiane do të mbajë përgjegjësi individuale dhe jo kolektive. Ai tha se do të nxjerrë emrat e atyre që duan ta rikthejnë Shqipërinë 30 vite pas.
“E ashtuquajtura mazhorancë të thellohet, po ashtu të ashtuquajturit opozitë, nuk duhet tu shkojë mendja të mbyllin integrimin e Shqipërisë. Sot ai që ngre dorën për të prekur 5 qershorin ai ngre dorën kundër integrimit Evropian të Shqipërisë. Unë dëshiroj qytë mos e bëjë. Kushdo që ngre dorën do të ketë përgjegjësi individuale. Vetëm duke respektuar marrëveshjen, duke bërë zgjedhje të lira e demokratike, ne çelim negociatat, por edhe japim shembull për cdo vend tjetër. Maqedonia e Veriut na ka dhënë një shembull të shkëlqyer se si kapërcehen problemet e brendshme dhe si zgjidhen krizat. Të mos harrojë asnjë deputet se përgjegjësia e tij do të jetë individuale, nëse ngre dorën kundër të ardhmes evropiane. Presidenti do i publikojë emrat e të gjithë atyre që duan ta rikthejnë Shqipërinë 30 vite pas, presidenti do bëjë atë gjë që është e mirë për Integrimin e Shqipërisë.” tha Meta.
Top Channel