Përshëndetje, ju flet ushtria. Ju duhet të hyni në karantinë. Ky është mesazhi që një spanjoll mund të dëgjojë në telefon nga personeli ushtarak i vendit që është rekrutuar së fundmi për të gjetur dhe gjurmuar ata që janë ekspozuar ndaj virusit në vendin e goditur më rëndë në Evropë.
Në shtabin qendror të forcave të armatosura të Spanjës, në qendër të Madridit, ka një dhomë me një shenjë në derë, ku shkruhet – departamenti i mbikëqyrjes epidemiologjike.
Brenda një ekipi prej disa dhjetëra njerëzish, kufjet mbahen në vesh dhe punohet 12 orë në ditë, shtatë ditë të javës. Secili pjesëtar i ekipit bën 70 deri 80 telefonata për të identifikuar ata që kanë qenë në kontakt me dikë që ka rezultuar pozitiv me Covid.
“Unë jam gjurmues kontaktesh për rajonin e Madridit. E mora numrin tuaj nga një person që ka rezultuar pozitiv. Fillimisht, si ndjeheni ju? – thotë njëri prej tyre duke përdorur një frazë që do të përsëritet gjatë ditës. Ju duhet të qëndroni 10 ditë në karantinë….
Të ngarkuar nga qeveria për të ndihmuar rajonet më të goditura, më shumë se 2 mijë trupa nga degë të ndryshme të ushtrisë janë angazhuar me punën e lodhshme të gjurmimit të zinxhirit të infektimit në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e Covid 19. Shumëkush fajëson mungesën e gjurmimit të kontakteve për rritjen e infektimeve në Spanjë, kur rreth 760 mijë njerëz janë prekur nga koronavirusi dhe rreth 32 mijë kanë humbur jetën.
Top Channel