Që nga shpërthimi i tij në fund të 2019, Covid-19 ka prekur shumë figura të politikës. Së fundmi këshilltarja e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka rezultuar pozitive me koronavirus.
Hope Hicks, e cila është një ndihmëse e afërt e presidentit dhe udhëtoi me të në një tubim të mërkurën, rezultoi të enjten pozitive, sipas një zyrtari të administratës.
Kjo ka bërë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melaina Trump të karantinohen dhe po presin rezultatet e testeve. Presidenti Trump shkruajti në Twitter të enjten vonë: “Zonja e Parë dhe unë po presim rezultatet e testit. Ndërkohë, ne do të fillojmë procesin e karantinës”.
Në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha se “Presidenti e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e tij dhe të gjithë atyre që punojnë në mbështetje të tij dhe popullit Amerikan”.
“Zyra e Operacioneve e Shtëpisë së Bardhë bashkëpunon me Mjekun e Presidentit dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë për t’u siguruar që të gjitha planet dhe procedurat ndjekin udhëzimet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe praktikat më të mira për kufizimin e ekspozimit ndaj COVID-19 në masën më të madhe të mundshme si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe kur Presidenti udhëton”, tha zoti Deere.
Top Channel