Ndërsa denoncoi se Shqipëria po humb shumë para në gjykatat ndërkombëtare për vendimet e njëanshme, presidenti Ilir Meta në konferencën për shtyp tha se ka zyrtarë të qeverisë të përfshirë në një aferë miliarda euro.
“Jam këtu si kryetar i shtetit për të paralajmëruar për këtë veprimtari kriminale që shkatërron financat e shtetit, siç është rritja e borxhit që askush nuk mund ta llogaris dot. Përveç krizës politike tërësisht artificiale, pa dyshim që mund të sjellë një situatë falimentimi ekonomik dhe financiar.
Janë shumë çështje që mund të penalizojnë Shqipërinë në shifra miliarda eurosh. Ka dyshime të arsyeshme për një lojë të dyfishtë korruptive të zyrtarëve të qeverisë që do të thotë fitojnë edhe nga kompania që merr apo trashëgon aktivitetin që i zgjidhet nga administrata, por këta bashkëpunojnë edhe me investitorin duke mos mbrojtur Shqipërinë në arbitrazh.
Në këtë mënyrë ne shkojmë drejt katastrofës financiare. Unë di të ndaj atë që është shtetërore nga ajo që mund të jetë politike apo personale. Nëse dikush mendon që interesat personale do t’i vendos mbi interesat shtetërore, duhet ta di se çdo firmë që hidhet në kundërshtim me ligjet dhe pasoja për financat e vendit, mbetet dhe secili do mbajë përgjegjësi. Zotëria në fjalë ia ka marrë dorën, asnjëherë nuk firmos dot. Në Parlament bën sikur flet në telefon kur vjen rasti i votimit dhe del jashtë.
Po të vazhdojë në këtë mënyrë, ky shtet shembet. Hallin e fushatës e ka ai që nuk i dilnin votat edhe kur numëronte vetëm. Kjo situatë bën që vendi të shpopullohet‘, tha Meta.
Top Channel