Japonezi pranon nëntë vrasje pas kontaktit me njerëz vetëvrasës në rrjetet sociale

01/10/2020 20:36
Vrasesi duke dale nga stacioni i policise ne Tokio

Një 29-vjeçar ka pranuar në një gjykatë në Tokio të gjitha akuzat për vrasjen e tetë vajzave të reja dhe një mashkulli, në çështjen që ka shokuar vendin.

Takahiro Shiraishi tha në gjykatë se kishte kontaktuar me gratë që kishin shprehur mendime vetëvrasjeje në rrjetin Twitter dhe platforma të tjera sociale.

Më pas ai i merrte ato në apartamentin e tij në Zama, rreth 40km në jugperëndim të Tokios, ku i sulmonte seksualisht, grabiste disa prej tyre, e më pas i mbyste. Vrasjen e fundit ai e kishte kryer para tre vjetëve.

Vrasjet detyruan autoritetet japoneze të gjurmonin rrjetet ku njerëzit shprehnin mendime vetëvrasjeje ndërsa disa rrjete sociale kanë nisur rregulla për ndalimin e promovimit të vetë-vrasjes apo vetë-lëndimit, në reagim ndaj ngjarjes së rëndë.

Viktima mashkull, ishte i dashuri i një prej vajzave që ishte konfrontuar me Shiraishi në apartamentin e tij për vendndodhjen e saj, ndërsa ai e kishte vrarë edhe ate.

Vrasësi pretendon se dënimi i tij duhe të reduktohet pasi sipas tij viktimat, të cilët ishin me moshë nga 15 deri në 27 vjeç, kishin dëshiruar të vdisnin.

Shiraishi pritet të dënohet me vdekje. Ligji japonez parashikon që grabitësit me vrasje dhe përdhunuesit me vrasje, dënohen automatikisht me vdekje, dhe kjo kryhet me varje.

I akuzuari u kap në tetor 2017 kur vëllai i një prej viktimave gjeti mesazhet nga në llogarinë e saj në Twitter pasi ajo ishte zhdukur. Ai më pas vijoi hetimin duke i kërkuar një mikeshe të kërkonte takim me Shiraishi dhe njoftoi policinë.

Kur policia shkoi në apartamentin e Shiraishi ai u tha se kishte në frigorifer trupin e gruas që kërkonin. Ata më pas zbuluan pjesë trupore nga të nëntë viktimat në mbajtëse të ndryshme në apartament, ndërsa pjesë të tjera ai i kishte larguar.

“I vrava dhe më pas punova pak me trupat për të zhdukur provat”, i kishte thënë Shiraishi policisë.

Shiraishi ishte vendosur në këtë zonë nga Tokio, ku kishte punuar si rekrutues femrash për industrinë e seksit në Kabukichō, që është zona ‘me drita të kuqe’ e Tokios.

Shiraishi do të dënohet më 15 dhjetor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA