Koreja e Veriut – një prej vendeve më të fshehta në botë – nuk ka konfirmuar deri tani ndonjë rast Covid-19, edhe pse vëzhguesit dyshojnë që shteti komunist mund t`i ketë shpëtuar tërësisht pandemisë.
Peniani e mbylli kufirin e tij me Kinën në muajin janar dhe mendohet se është duke ndjekur një politikë ekstreme për mbrojtjen nga koronavirusit. BBC flet për urdhra për të qëlluar pa dallim këdo që tenton të lëvizë pa leje në kufi. Qasja e Koresë së Veriut ka mbërthyer vëmendjen sidomos këto ditët e fundit pas vrasjes tronditëse të një zyrtari të Koresë së Jugut, trupi i të cilit u gjet duke pluskuar në ujërat e Veriut.
Të mërkurën, agjencia zyrtare e lajmeve KCNA njoftoi se gjatë një takimi të fundit të Partisë së Punëtorëve në pushtet – ku mori pjesë udhëheqësi Kim Jong-un, ishin zbuluar “disa gabime” në përpjekjet e Koresë së Veriut për të parandaluar një shpërthim të epidemisë.
Raporti nuk specifikonte se cilat ishin ato gabime, por në takim ishte theksuar nevoja “për t`u mbrojtur në mënyrë rigoroze nga vetëkënaqësia, pakujdesia e papërgjegjësia”. Kim Jong-un bëri një apologji të rrallë personale javën e kaluar pas vrasjes së zyrtarit koreano-jugor.
Top Channel