“Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar me tkurrje vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë në -7.5%, nga -5% që ishin pritshmëritë në Prill, kur pandemia Covid-19 sapo kishte nisur. Në mbyllje të misionit virtual, institucioni financiar ndërkombëtar ka lënë edhe disa porosi për qeverinë.”
Varësia e lartë nga turizmi dhe ndaj dërgesave të emigrantëve shihen edhe si dy faktorët kryesorë për recesionin e thellë që pritet të kalojë vendi këtë vit.
FMN apelon qeverinë të vijojë mbështetjen ndaj bizneseve dhe individëve më të goditur nga kriza, teksa shton se përpjekje duhet të bëhen edhe në drejtim të mbledhjes së të ardhurave tatimore përmes një sistemi më të drejtë dhe transparent si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi kreditë me probleme pritet të rriten.
“Mbështetja buxhetore duhet të jetë e përkohshme, me përfitues të identifikuar, dhe subjekt i transparencës dhe llogaridhënies dhe me masa adekuate kontrolli të menaxhimit të financave publike (MFP). Përgatitja në proces e një strategjie afatmesme për të ardhurat ofron një mundësi të mirëpritur për të shqyrtuar dhe riprojektuar në mënyrë të gjithanshme sistemin tatimor dhe duhet të vijojë pa vonesa të mëtejshme.”
Në deklaratën përmbyllëse Fondi ka evidentuar sërish qëndrimin e tij kritik kundër amnistisë fiskale, teksa ka kërkuar po ashtu kujdes të shtuar lidhur me menaxhimin e kontratave PPP si dhe Korporatën e Investimeve.
“Nevojiten përpjekje të forta për të vlerësuar dhe menaxhuar me rigorozitet jo vetëm ndikimin e drejtpërdrejtë në buxhet, por edhe detyrimet e kushtëzuara që lindin nga PPP-të. Përdorimi i PPP-ve me propozim të pakërkuar duhet të vazhdojë të parandalohet. Mbetemi të shqetësuar që Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) do të sjellë risqe të reja fiskale kur të fillojë nga puna.”
Ndër të tjera, Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon shlyerjen sa sa më parë të rimbursimit të TVSH, ndërsa shton se autoritetet duhet të punojnë për shmangien e detyrimeve të reja.
Në rast të një zgjatje në kohë të pandemisë, FMN vlerëson nevojën e një plani rezervë me marrjen e masave të reja dhe orientim të fondeve buxhetore në drejtim të ofrimit të kujdesit shëndetësor dhe ndihmë ndaj grupeve më në nevojë.
Institucioni financiar ndërkombëtar parashikon se me zbutjen e efekteve të pandemisë dhe vijimin e procesit të rindërtimit ekonomia shqiptare mund t’i rikthehet rimëkëmbjes gjatë vitit 2021.
Genta Dobra
Top Channel