Përplasjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit për territorin e diskutueshëm të Nagorni-Karabakut kanë vazhduar edhe brenda natës.
Sipas mediave të huaja, lajmi u konfirmua nga ministria e mbrojtjes në Armeni, derisa autoritetet e Azerbajxhanit deklaruan se pala tjetër bombardoi qytetin e Terterit.
Tensionet midis dy republikave ish-sovjetike vijnë pas konfliktit mbi territorin Nagorni-Karabaku, një zonë e cila gjendet në Azerbajxhan mirëpo është e populluar me shumicë armene.
Autoritetet e Nagorni-Karabaut deklaruan ditën e sotme se rreth 15 ushtarë vdiqën brenda natës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 32 që kur përplasjet shpërthyen të dielën në mëngjes.
Në mesin e përplasjeve raportohet edhe për vdekjen e civilëve.
Zyrtarët deklaruan se një grua armene dhe një fëmijë u vranë, ndërsa Baku deklaroi se një familje azere pesë anëtarësh kishte vdekur si pasojë e bombardimit nga forcat armene.
“Jemi të lodhur nga kërcënimet e Azerbajxhanit, ne do të luftojmë deri në vdekje derisa të zgjidhet ky problem një herë e mirë”, tha Artak Bagdasaryan, një 36-vjeçar, duke shtuar se ai do t’u bashkohej ushtrisë së Armenisë.
Top Channel