Presidenti Donald Trump tha të martën se ka në plan të bëjë të njohur të shtunën emrin e kandidates që ai do të propozojë për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg pas vdekjes së saj të premten. Njoftimi i presidentit vjen ndërsa një ligjvënës me peshë tha se republikanët e Senatit i kanë votat e mjaftueshme për ta miratuar përzgjedhjen e zotit Trump, para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Në një postim në Twitter zoti Trump shkruante gjithashtu se do ta bëjë njoftimin nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti ka bërë të ditur tashmë se do ta zgjedhë kandidaturën në mesin e një liste prej pesë grash konservatore që ai po vlerëson. Sipas njoftimeve zoti Trump u takua me njërën prej tyre të hënën, gjyqtaren e gjykatës së apelit Amy Coney Barrett.
Ndërkohë ish-Nënpresidenti Joe Biden, rivali demokrat i zotit Trump për zgjedhjet e 3 nëntorit, ka bërë thirrje që presidenti i ardhshëm, të zgjedhë kandidatin për Gjykatës e Lartë, pas inaugurimit të tij në janar. Por republikanët po kërkojnë të përfitojnë nga shumica aktuale që gëzojnë në Senat, prej 53 vendesh krahasuar me 47 që kanë demokratët. Miratimi i një kandidati të tretë konservator nga zoti Trump për Gjykatën e Lartë do të bënte që ekuilibrin ideologjik i gjykatës të anonte edhe më shumë nga skaji konservator i saj, nga 5 me 4 aktualisht në 6 me 3. Senati ka miratuar më parë edhe dy emra të tjerë për Gjykatën e Lartë të propozuar nga Presidenti Trump, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh.
Senatori republikan i Karolinës së Jugut, i cili në cilësinë e kryetarit të Komisionit Gjyqësor të Senatit, do të mbikqyrë seancat për konfirmimin e kandidaturës për Gjykatën e Lartë, i tha rrjetit televiziv Fox News të hënën vonë në mbrëmje se republikanët i kanë votat e mjaftueshme për të miratuar emrin që do të zgjedhë Presidenti. “Kandidati do të mbështetet nga çdo republikan në Komisionin Juridik”, tha zoti Graham. “I kemi votat për ta konfirmuar atë në Senat para zgjedhjeve dhe kjo gjë po ndodh”, shtoi ai. Dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski kanë njoftuar se do të votojnë kundër emërimit të zotit Trump para zgjedhjeve, kur mbeten më pak se 40 ditë në krahasim me 70 ose më shumë që zakonisht i është dashur Senatit për të shqyrtuar e miratuar kandidaturën për një vend në Gjykatën e Lartë gjatë administrave të kaluara. Por asnjë senator tjetër republikan nuk u është bashkuar atyre në përpjekjen për të vonuar shqyrtimin e kandidaturës pas zgjedhjeve.
Senatori Mitt Romney, një kritik i shpeshtë i zotit Trump, ishte i fundit që shprehu miratimin e tij për të ecur përpara me procesin. “Kam ndërmend të ndjek Kushtetutën dhe precedentin në shqyrtimin e kandidaturës së Presidentit”, tha Romney në një deklaratë të martën. “Nëse i kandidati mbërrin për votim Senat, kam ndërmend të votoj bazuar në kualifikimin e tij”, shtoi ai. Në vitin 2016 Senati i kontrolluar nga republikanët bllokoi nëntë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale, shqyrtimin e kandidatit të fundit për Gjykatën e Lartë të propozuar nga Presidentit Demokrat Barack Obama, Merrick Garland.
Por zoti Romney së bashku me disa republikanë të tjerë thonë se fakti që partia kontrollon si Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe Senatin e bën luftën aktuale për një emër për Gjykatën e Lartë ndryshe nga katër vite më parë. “Precedenti historik i nje viti zgjedhor është që Senati përgjithësisht nuk konfirmon të propozuarin e një partie kundërshtare, por konfirmon një të nominuar të vetin”, tha Romney. Pozicionimi i zotit Romney nuk do të thotë që kandidati i zotit Trump patjetër do të ketë votat për t’u miratuar, por do të thotë që zoti Graham, udhëheqësi i shumicës në Senat Mitch McConnell e republikanë të tjerë mund të shtyjnë përpara procesin pa vonesa.
Dy senatorë të tjerë republikanë që mendohej se mund ta kundërshtonin një votim para zgjedhjeve për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Cory Gardner dhe Chuck Grassley, thanë të hënën gjithashtu se nuk janë kundër lëvizjes përpara në plotësimin e vakancës së krijuar. Demokratët, të cilët gëzojnë pakicën në Senat, janë kryesisht të pafuqishëm për të ndaluar shqyrtimin e kandidatit që do të propozojë zoti Trump. Por deri më tani ata janë përpjekur të vendosin në pozita të vështira republikanët, duke i kritikuar ata për bllokimin e kandidaturës së zotit Obama gjatë një tjetër viti zgjedhor. Udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer tha të hënën se përplasja e ardhshme mbi konfirmimit mund të çojë në “fundin e këtij institucioni të madh”.
“Nëse një shumicë në Senat gjatë gjashtë viteve vjedh dy vende në Gjykatën e Lartë duke përdorur arsyetime plotësisht kontradiktore, si mund të presim t’i besojmë përsëri palës tjetër?”, tha ai. “Si mund t’i besojmë njëri-tjetrit nëse nxitjet bëhen më të forta, veprimet më të rrezikshme dhe pala tjetër shkel standardet e saj, kur është politikisht në favor?!”, shtoi ai. Përveç marrjes në konsideratë të gjykatëses 48 vjeçare Amy Coney Barrett, një ish-profesore e drejtësisë në Universitetin e Notre Dame-t dhe aktiviste konservatorë e cila shihet si favorite për t’u emëruar, zoti Trump po shqyrton edhe emrat e tre gjyqtareve të tjera të Gjykatave të Apelit. Barbara Lagoa, 52 vjeç, vajza e një refugjati kubanez që u larguan nga ishulli pas revolucionit të Fidel Castros më 1959, shihet gjithashtu sipas njoftimeve si një kandidate potenciale. Nën shqyrtim janë dhe gjyqtaret Allison Jones Rushing dhe Joan Larsen, së bashku me zëvendës këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë Kate Todd./VOA
Top Channel