Moderatori i debatit presidencial të 29 shtatorit në Shtetet e Bashkuara mes kandidatit demokrat Joe Biden dhe presidentit të tanishëm republikan Donald Trump ka publikuar gjashtë temat e tij.
Presidenti Trump dhe ish-nënpresidenti Biden do të debatojnë mbi historinë e arritjeve të tyre, plotësimin e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, pandeminë e koronavirusit, ekonominë, marrëdhëniet racore dhe dhunën në qytetet amerikane, si dhe integritetin e zgjedhjeve. Temat u zgjodhën nga moderatori Chris Wallace, gazetar i kanalit Fox News.
Duke filluar në orën 21:00 me kohën e Uashingtonit, kandidatët do të kenë 15 minuta për të debatuar në secilën nga temat gjatë debatit 90 minutësh, i cili do të zhvillohet pa ndërprerje reklamash.Lista e temave mund të ndryshojë nëse do të ketë zhvillime të reja para fillimit të debatit. Debati i parë është planifikuar të zhvillohet në Universitetin Case Western Reserve dhe Klinikën Cleveland në Klivlend të Ohajos.
Top Channel