Ndërsa Kombet e Bashkuara festojnë 75-vjetorin e themelimit dhe bota gjendet përballë pandemisë së COVID-19 dhe sfidave të tjera, Kina njoftoi të martën një sërë masash për të mbështetur luajtjen nga OKB-ja të një roli kryesor në çështjet ndërkombëtare.
“Kina do të sigurojë mbështetje shtesë financiare prej 50 milionë dollarësh amerikanë për Planin e Përgjigjes Humanitare Globale ndaj COVID-19 të OKB-së dhe do të krijojë Fondin e Mirëbesimit të Bashkëpunimit Jug-Jug të fazës së tretë me Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) me vlerë po 50 milionë dollarë amerikanë”, tha presidenti kinez Xi Jinping në një videofjalim në debatin e përgjithshëm në kuadër të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Xi njoftoi një zgjatje pesëvjeçare të Fondit për Paqen dhe Zhvillimin Kinë-OKB, afati i së cilës përfundon në vitin 2025. Kina do të krijojë gjithashtu Qendrën Globale të Njohurive dhe Risive Gjeohapësinore të OKB-së dhe Qendrën Kërkimore Ndërkombëtare të të Dhënave të Mëdha për Objektivat e Zhvillimit të Vazhdueshëm, të cilat do të lehtësojnë zbatimin e Agjendës për Zhvillimin e Vazhdueshëm 2030 të OKB-së.
“Kina do të vazhdojë të jetë ndërtuese e paqes në botë, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar,” tha presidenti Xi, duke kërkuar solidaritet global dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta të njerëzimit, të tilla si paqja, zhvillimi, drejtësia, demokracia dhe liria.
Presidenti kinez paraqiti edhe propozime për luftën globale kundër COVID-19.
Xi përshëndeti guximin, vendosmërinë dhe dashurinë që njerëzimi ka shfaqur në luftimin e pandemisë COVID-19, duke shprehur besimin e tij se popujt në të gjithë botën do të arrijnë një fitore përfundimtare në këtë luftë.
Ai tha se jeta e njerëzve duhet të vihet në plan të parë, duke bërë të mundur që të trajtohet çdo rast dhe çdo i sëmurë.
Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e bashkuar në luftën kundër virusit dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të luajë rolin kryesor, tha Xi, duke paralajmëruar kundër politizimit dhe stigmatizimit të COVID-19.
Presidenti kinez theksoi rëndësinë e kontrollit të rregullt të epidemisë gjatë rivendosjes së rendit ekonomik e shoqëror dhe u bëri thirrje ekonomive të mëdha të kontribuojnë në rimëkëmbjen ekonomike të botës.
Ai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë vendet në zhvillim, veçanërisht ato në Afrikë, për të kapërcyer vështirësitë nëpërmjet masave të tilla si lehtësimi i borxheve dhe ndihma.
Xi u zotua se Kina do të vazhdojë të ndajë përvojat dhe teknologjitë antiepidemike në diagnostikim dhe trajtim me vendet e tjera, të sigurojë mbështetje dhe ndihmë për vendet në nevojë dhe të marrë pjesë aktive në kërkimin shkencor global për të gjetur origjinën e koronavirusit të ri dhe për të përcaktuar rrugët e transmetimit të tij.
Një numër vaksinash të COVID-19 të studiuara nga Kina kanë filluar provat klinike të fazës së tretë, vuri në dukje ai, duke shtuar se vaksinat do të bëhen një produkt publik global kur të jenë gati për aplikim e se përparësi do t’u jepet vendeve në zhvillim. Me gjithë sfidat e shkaktuara nga pandemia, paqja e zhvillimi mbeten temat e kohës dhe popujt në gjithë botën e dëshirojnë edhe më fort paqen, zhvillimin dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, theksoi Xi
“COVID-19 nuk do të jetë kriza e fundit me të cilën do të përballet njerëzimin,” tha ai. “Ne duhet të bashkohemi dhe të jemi të përgatitur edhe për sfida të tjera globale.”
Pandemia u ka kujtuar njerëzve në të gjithë botën se “jetojmë në një fshat global të ndërlidhur me interesa të përbashkëta”, vuri në dukje presidenti i Kinës, duke bërë thirrje për formimin e një bashkësie me të ardhme të përbashkët ku të gjithë janë të ndërlidhur.
Duke e përshkruar globalizimin ekonomik si një “realitet të padiskutueshëm” dhe një “prirje historike”, ai i bëri thirrje botës që “të përballet me çështje kryesore, si hendeku i pasurisë dhe ndarja e zhvillimit” dhe të ndjekë një zhvillim të hapur dhe gjithëpërfshirës.
“Ne duhet t’i themi jo unilateralizmit e proteksionizmit dhe të punojmë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm dhe të lirshëm të zinxhirëve globalë të industrisë dhe të furnizimit,” tha ai. Xi gjithashtu bëri thirrje për një revolucion të gjelbër për të mbrojtur mjedisin, si dhe për reformimin dhe përmirësimin e sistemit të qeverisjes globale.
“Natyrisht që vendet kanë dallime. E rëndësishme është që t’i trajtojmë ato nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve,” u shpreh ai. “Vendet mund të përfshihen në konkurrencë, por kjo konkurrencë duhet të jetë pozitive dhe e shëndetshme.”
Kina është e përkushtuar për një zhvillim paqësor, të hapur, bashkëpunues e të përbashkët dhe kurrë nuk do të kërkojë hegjemoni, zgjerim ose sfera ndikimi, tha Xi.
“Ne nuk kërkojmë të zhvillojmë vetëm veten tonë ose të përfshihemi në një lojë ku fituesi i merr të gjitha”, shtoi presidenti kinez.
Top Channel